Klubi i Volejbollit për femra i Universitetit të Tetovës shkëlqeu këtë sezon me paraqitjet fantastike. Nga gjithsej 9 ndeshje të zhvilluara në ketë sezon vjeshtor korri shtatë fitore dhe vetëm dy humbje e si rrjedhojë radhitet i pari në tabelën kualifikuese të ligës së parë të volejbollit për femra në Republikën e Maqedonisë.
Pas përmbylljes së sezonit vjeshtor, menaxherja e këtij klubi, Laureta Abazi, tha se volejbollistet e Klubit të Volejbollit për femra “Universiteti i Tetovës” treguan pjekuri dhe dëshirë për fitore dhe ky rezultat u arrit si pasojë e punës dhe vendosmërisë së skuadrës. Qëllimi ynë ishte që të ngremë lart e më lart skuadrën tonë, dhe ia dolëm, mposhtëm kampionin dhe nënkampionin e vitit të kaluar, gjunjëzuam skuadrat rivale, të cilat janë konkurrentet tona të drejtpërdrejta dhe po ecim me hapa të sigurt për një pjesë tjetër pranverore akoma më të vështirë dhe me plot sfida. Besoj dhe mbështetem në vajzat e mia, të cilat po punojnë me zell dhe dëshirë që këtë vit ta sjellim titullin kampion shtetëror në Tetovë dhe të kurorëzojmë punën tonë me sukses.
Klubi i Volejbollit për femra “Universiteti i Tetovës” ka kërkuar mbështetje nga të gjithë gjatë sezonit veror që ta realizojnë ëndrrën e tyre për t’u shpallur kampion në ligën e parë të volejbollit për femra në Maqedoni.