Klubi i nivelit të pestë të futbollit në Angli, Yeovil Town, është tallur me portierin e Manchester Unitedit, David de Gean, duke reaguar ndaj një postimi të tij në Twitter. Pozita e David de Geas si portier i parë në skuadrën e Manchester Unitedit është vënë sërish në pikëpyetje pas disa paraqitjeve të tij të dobëta në ndeshjet e fundit të sezonit 2019/20. Shumë tifozë dhe analistë kanë bërë thirrje që Manchester Unitedi ta kthejë portierin e huazuar në Sheffield United, Dean Henderson, veçanërisht pas gabimeve të De Geas në disfatën e gjysmëfinales së FA Cup kundër Chelseat. E në mes të këtyre spekulimeve për të ardhmen e tij, De Gea të enjten i postoi dy emotione të ngjyrës së bardhë dhe ngjyrës së gjelbër, për nder të ditës së pavarësisë së Pakistanit. Ky postim i portierit spanjoll shkaktoi huti te shumë tifozë të Manchester Unitedit, të cilët mendonin se De Gea kishte postuar ngjyrat e ndonjë klubi tjetër.
Në mesin e klubeve që identifikohen me ngjyrat bardhe dhe gjelbër është edhe klubi i nivelit të pestë të futbollit në Angli, Yeovil Town që reagoi ndaj postimit të spanjollit.“Jo, s’jemi të interesuar. Na vjen keq, David”, shkroi klubi anglez.