Aventura e Benedikt Howedes me Juventusin nuk ka filluar mirë. Qendërmbrojtësi gjerman, i marrë në fundin e merkatos së verës, është ndalur nga një dëmtim i dyfishtë muskulor dhe nuk ka patur mundësinë të debutojë me fanellën bardhezi.
Dëmtimi i dytë rrezikon ta mbajë lojtarin një muaj larg fushave, duke i hequr kështu trajnerit Allegri një element shumë të rëndësishëm për mbrojtjen dhe për skemat e ekipit.
Schalke, skuadra e fundit e Howedes, nuk ka humbur rast për të thumbuar kampionët e Italisë: “Nëse Benedikt do, ne jemi gati ta kurojmë”, ka thënë drejtori sportiv Christian Heidel.
Përtej shakave, klubit gjerman i intereson që lojtari të rikuperojë sa më shpejt, sepse Juventus, përveç shumës 3,5 milionë euro të paguar për huazimin e tij, do të duhet të paguajë 13 milionë të tjerë kur futbollisti të luajë 25 ndeshje zyrtare.
Marrëdhëniet e Howedes me Schalke ishin prishur prej kohësh dhe një kthim i tij në Gjermani nuk është i mundshëm, por klubi gjerman ka dhënë një mesazh të qartë, ndoshta polemik, në lidhje me menaxhimin e futbollistit nga ana e Juventus.