Klubet shqiptare në Zvicër i dalin në përkrahje Agim Ademit

2

Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, përmes një reagimi, ka bërë të ditur se e mbështet plotësisht kryetarin aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, pas trazirave të fundit në futbollin kosovar.

Federata e Futbollit e Kosovës është trazuar gjatë dy javëve të fundit pasi që grupit opozitar të saj i është bashkuar edhe njëri ndër zyrtarët më të lartë të vetë Federatës, zëvendëssekretari tashmë i shkarkuar, Arianit Ahmeti, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022,  por vetëm deri ne vitin 2020, duke e konfirmuar vendosmërinë e tij për ta marrë postin e kryetarit në FFK. Ai thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pretendimin e Ahmetit fillimisht e mbështeti edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila doli me një interpretim ligjor, me 17 muaj vonesë, se kuvendi në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar ishte i parregullt. Nga ky interpretim u distancua ministri në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se ai s’ishte qëndrim i Ministrisë dhe se personi që e kishte publikuar atë e kishte bërë pa dijeninë e të tjerëve.

Ndërkohë, për Ahmetin u mor vendim nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për ta shkarkuar, pasi që u tha se ai po e shfrytëzonte postin e tij për ta dëmtuar Federatën e për ta promovuar veten.

Më pas, mbështetje për Agim Ademin kanë treguar një numër i madh i figurave në sportin kosovar, e së fundi edhe Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar dashamirë dhe sportdashës, puna e palodhshme dhe projektet në realizim sollën edhe sukseset e para në arenën ndërkombëtare të futbollit të Kosovës, ku çdo shqiptar dhe sportdashës i flaktë është gëzuar tej mase këtij suksesi ku krenaria e tyre vërehet në të gjitha viset ku frymohet shqip.

Por, me zhvillimet e fundit dhe ndërhyrjet politike që vetëm njollosin punën e deritanishme të FFK-së, si dhe përpjekjet dashakeqe për të ngritur „dyshime“ mendojmë se kjo situatë nuk i përshtatet askujt përveç armiqve të sportit dhe vlerave tona si Komb.

Ndryshimet dhe përkrahja fitohet në Kuvendet zgjedhore dhe asesi forma të tjera antidemokratike që vetëm do ta zbehin imazhin pozitiv që gëzon përfaqësuesja jonë në arenën ndërkombëtare.

Tashmë e konfirmuar edhe nga vetë shtëpia e futbollit Evropian UEFA ,se Kuvendi zgjedhor i FFK-së në vitin 2018 është në pajtim të plotë me rregullat e FFK-së siç e parasheh edhe rregullorja e FIFA dhe UEFA-s.

Kjo situatë ka krijuar mjegull dhe pasiguri në gjithë arenën kombëtare e ndërkombëtare duke marrë parasysh qëllimin e përfaqësueses tonë për tu kualifikuar në Evropianin 2020.

Prandaj, ne si UKSHFZ apelojmë tek të gjitha institucionet shtetit që vendimet e marra në Kuvendin zgjedhor 2018 të respektohen ligjërisht dhe ndryshimi të kërkohet në kohën dhe vendin e duhur, pra në Kuvendin e radhës siç e parasheh rregullorja e FFK-së.

Comments are closed.