Plani i FIFA-s për të organizuar një Botëror Klubesh të ri me pjesëmarrjen e 24 skuadrave, nuk do të ketë si pjesëtare të saj klubet evropiane, të cilat i janë kundërvënë planit të ri te ë FIFA-s dhe Xhani Infantinos. Ky i fundit, i gatshëm për t’i shitur një grupi aziatik të drejtën e zhvillim të këtij turneu të ri, ka propozuar në Këshillin e FIFA-s për miratim formulën e re që duhej të fillonte të zbatohej në vitin 2021.
Por klubet evropiane, të cilat sigurisht janë ato që kanë peshën më të madhe, as që kanë ndër mend t’i nënshtrohen urdhrit të FIFA-s dhe nëpërmjet një letër të ECA, organizatës që i përfaqëson, kanë bërë të qartë se ta llogaritin turneun pa pjesëmarrjen e tyre.
“Asnjë klub i ECA nuk do të marrë pjesë në një turne të tillë”, shkruhet në letrën që klubet evropiane i kanë drejtuar FIFA-s për të hedhur poshtë këtë ide të Infantinos të cilën e ka publikuar pjesërisht “Suddeustsche Zeitung”.