Klubet e Premier Leagues votojnë kundër 5 zëvendësimeve

14

Klubet e Premier Leagues kanë votuar kundër vazhdimit të lejimit të pesë zëvendësimeve brenda një ndeshjeje për sezonin 2020/21. Ky rregull hyri në fuqi kur rifilloi sezoni 2019/20 në qershor, pas ndërprerjes për tri muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit. Për sezonin tjetër, liga do të kthehet me tre zëvendësime, pas votimit që u bë të enjten. Shumë anëtarë kanë besuar se nga rregulli i pesë zëvendësimeve kanë përfituar padrejtësisht klubet e mëdha.

FIFA u ka dhënë leje të vazhdohet me përdorimin e pesë zëvendësimeve nëse liga e dëshiron një gjë të tillë. Organi drejtues i futbollit botëror ka thënë se rregulli mund të përdoret deri në gusht 2021, që do të thotë se Kampionati Evropian dhe Kupa e Amerikës mund ta përdorin atë.

“Disa gara që kanë rifilluar në vitin 2020 mund të kenë periudhë më të shkurtër kohore se zakonisht për rigjenerim dhe përgatitje para sezonit të ri”, ka shkruar FIFA së fundmi. “Për shumë gara, edicioni 2020/21 do të përfshijë lojë me orar të ngjeshur për shkak të nisjes së vonuar dhe pamundësisë për ta përfunduar më vonë se zakonisht, për shkak të garave të rëndësishme ndërkombëtare”.

Comments are closed.