Klubet e Premier Leagues paralajmërohen për protokollet e COVID-19

Klubet e Premier Leagues duhet të jenë shembull për të gjithë në respektimin e protokolleve të koronavirusit, në të kundërtën rrezikojnë të sanksionohen. Kështu ka paralajmëruar të mërkurën shefi ekzekutiv i ligës (EPL), përcjellin mediumet angleze të mërkurën

17

EPL-ja dërgoi direktiva të reja javën e kaluar nëpër klubet elitare të Anglisë, në të cilat përfshiheshin kërkesat që futbollistët të shmangin përqafimet pas festimit të golave, të shmangin shtrëngimet e duarve dhe shkëmbimin e fanellave gjithashtu. Shefi ekzekutiv i EPL-së, Richard Masters, e konfirmoi këtë kërkesë me një letër që personalisht ua dërgoi të gjitha 20 klubeve të Premier Leagues.

“Ne jemi me fat që jemi në gjendje të vazhdojmë të luajmë dhe t’ua servojmë kampionatin tonë tifozëve në shtëpi dhe nëpër botë. Kjo sjell një vëzhgim shtesë të justifikuar dhe Premier League duhet të jetë shembull i duhur për t’u ndjekur nga të gjithë sa i përket respektimit të protokolleve për COVID-19”, ka shkruar ndër të tjera në letrën e Mastersit të dërguar të martën vonë. Futbollistët e Manchester Unitedit qartë nuk e kishin marrë mesazhin, ndërsa ata me gëzim të madh festuan golin e Paul Pogbas në fitoren 1:0 ndaj Burnley të martën, falë të cilës kryesojnë në tabelë me tri pikë më shumë se kampioni në fuqi, Liverpooli.

Një ditë pas ndeshjes, reagoi edhe trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, i cili premtoi se prej duelit të ardhshëm futbollistët e tij do të tregohen shumë më të kujdesshëm në respektimin e këtyre rregullave.

“Ne do të bëjmë më të mirën dhe do të jemi shembull se si duhet një ekip t’u përmbahet udhëzimeve për shkak se të gjithë duam që futbolli të vazhdojë garat në mënyrë të sigurt”, tha Solskjaer.

Udhëzime të ngjashme me EPL-në ka lëshuar edhe Liga e Futbollit e Anglisë (EFL) dhe shefi ekzekutiv i saj, Trevor Birch, paralajmëroi klubet e Premier Leagues se sezoni mund të pezullohet nëse Qeveria britanike sheh ndonjë shkelje të mëtejshme të rregullave në ndeshjet e ardhshme.

Britania po lufton me një formë të re, më të transmetueshme të virusit që po përhapet me shpejtësi të madhe. Shkollat ​​dhe dyqanet jothelbësore tashmë janë mbyllur dhe njerëzit po nxiten që të punojnë nga shtëpitë e tyre. Java e kaluar shënoi numrin më të madh të rasteve ditore të prekura me koronavirus dhe vdekjeve që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë në mars të vitit të shkuar, gjë që nxiti thirrje për rregulla edhe më të ashpra, duke përfshirë edhe rritjen e distancës sociale.

Premier League deri më tani është detyruar të shtyjë shumë më pak ndeshje sesa kategoritë më të ulëta të futbollit anglez për shkak të infeksioneve të koronavirusit. Vetëm një numër i vogël i ndeshjeve janë anuluar në krahasim me 50 të tjera në ligat e ulëta për shkak të infektimit të futbollistëve me koronavirus. Sidoqoftë, ka dyshime për ndeshjen mes Aston Villas dhe Evertonit këtë fundjavë në Premier League, që tashmë është zhvendosur të luhet të dielën dhe jo të shtunën siç ishte në orar.

Aston Villa gjithashtu nuk ka qenë në gjendje të luajë ndeshjen e së mërkurës në ligë kundër Tottenhamit për shkak se disa prej lojtarëve dhe stafit rezultuan pozitiv pas testit për koronavirus, duke detyruar që të mbyllet edhe qendra stërvitore. Madje, Aston Villa u detyrua të luante më lojtarë të rinj në humbjen nga Liverpooli në kuadër të Kupës FA. Në fakt, Premier League ka pranuar që në vazhdim mund të ketë edhe më shumë shtyrje të ndeshjeve për shkak të infeksioneve nëpër ekipe.

“Tashmë është e qartë se ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të përdorur në mënyrë efikase të gjitha vendet e lira në orarin e garave. Do të ketë ngarkesë të madhe dhe për këtë i kemi paralajmëruar edhe klubet, të cilat mund të sanksionohen nëse nuk respektohen rregullat”, ka thënë Masters. “Duke qenë se kishin ndodhur tri shpërthime të mëdha të koronavirusit në klube deri më tash, ne duhet të pranojmë faktin se në të ardhmen mund të kemi edhe më shumë raste të tilla, gjë që do të na detyrojë të shtyjmë ndeshjet”.

Masters gjithashtu paralajmëroi se kërkesat e klubeve për shtyrje të shpeshta të ndeshjeve mund të mos aprovohen dhe për këtë arsye ka kërkuar prej tyre që të apelojnë tek futbollistët që të tregohen shumë më të kujdesshëm.