Shkup, 30 mars – Klubet e Ligës së Dytë, Lindje dhe Perëndim i kanë dërguar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut një propozim, përmes të cilit kërkojnë ndihmë financiare për periudhën në vijim. Sezoni në futboll për momentin është ndërprerë shkaku i virusit COVID-19, dhe ende nuk dihet se i njëjti kur do të vazhdojë. Ndërkaq, klube e Ligës së Dytë thonë se pa ndihmën e shtetit është e vështirë që të përfundojnë sezonin aktual. Nga gjithsej 20 klube që kanë të dyja Ligat, 17 prej tyre janë në mesin e klubeve që kanë firmosur këtë nismë.
Nga Liga e Dytë Lindje nënshkruese janë të gjitha 10 skuadrat, derisa nga Liga e Dytë Perëndim, nënshkruese janë 7 klube.
“Klubet futbollistike janë në baza amatore dhe nuk kemi fare të ardhura nga asnjë bazë, të ardhurat e vetme janë donacionet, që tani janë të lidhura me përfitimin e vauçerëve dhe sponzorimeve, që me aplikimin e vauçerëve janë zero. Për momentin po ballafaqohemi me një situatë nga e cila nuk mund ti realizojmë vauçerët, apo të përfitojmë nga kompanitë, teksa harxhimet i kemi të njëjta, duke iu referuar të dhënave personale për shumë pak njerëz dhe honorarë, si mënyra e vetme për financim të futbollistëve dhe personave të tjerë të angazhuar në klub. Përveç kësaj kemi harxhime për pajisjen e lojtarëve, organizimin e ndeshjeve, harxhime materiale, për ushqim, akomodimin e lojtarëve që vijnë nga vende tjera, kotizimi prej 8 mijë eurove për të cilin ekipet e Ligës së Parë janë të liruara që ta paguajnë. Shpresojmë do të na dilni në ndihmë dhe do ti shpëtoni klubet e garës më masive në botë-futbollit”, thuhet në kumtesën e klubeve të Ligës së Dytë Lindje-Perëndim. (F.N)