Klubet e mëdha të Ligës Premier kanë propozuar që ndarja e barabartë e parave të fituara nga të drejtat televizive jashtë shtetit, duhet të ndryshojë. Ndërkaq, ky propozim nuk ka marrë mbështetjen e shumicës së klubeve të Ligës Premier. Gjashtë klubet më të pasura, Çellsi, Mançester Siti, Mançester Junajted, Totenhem, Arsenal dhe Liverpul, dëshirojnë që të përfitojnë më shumë nga transmetimi i të drejtave televizive, por që kërkesa e tyre nuk ka gjetur kompromis tek klubet angleze.
Gjashtë klubet kërkuan që të braktiset ndarja e parave në mënyrë të barabartë, ndërsa kanë kërkuar që 35 për qind e të hyrave nga transmetimi i TV-ve, t’u takojë atyre. “Është bërë e qartë se aktualisht nuk ka konsensus për ndryshim, që do të thotë se takimi i nesërm i klubeve nuk është i nevojshëm”, ka njoftuar Liga Premier. Klubet në Ligën Premier i ndajnë paratë në mënyrë të barabartë dhe kjo bën që disa klube të vogla të përfitojnë shumë të mëdha. Madje shuma e disa klubeve nga përfitimet televizive në Ligën Premier ua kalojnë edhe tyreve të mëdha në Serie A dhe Bundesligë.