Klopp: Salah jetik për ne, uroj të qëndrojë gjatë

30

Katër humbje në katër ndeshjet e fundit në kampionat, tifozët e Liverpool presin kthesën dhe një gjë e tillë pritet të ndodhë në fushën e Sheffield United. Objektivi i “The Reds” është renditja në një nga katër vendet e para të Premier League dhe sonte (20:15) vlejnë vetëm tre pikët.

Trajneri gjerman i kampionëve të Anglisë, Jurgen Klopp është ndalur te Momo Salah, ylli i repartit ofensiv. Zërat e merkatos e lidhin egjiptianin me Real Madrid dhe Barcelonën, transferim që Klopp shpreson të mos ndodhë.

“Më pëlqen t’i bëj komplemente lojtarëve të mi, por ka raste që vihem në siklet kur e bëj një gjë të tillë.

Salah? Më duhet ta theksoj, Momo është një futbollist i jashtëzakonshëm. Numrat e tij flasin vetë, nuk kam nevojë të shtoj asgjë tjetër.

Ai nuk është vetëm një golashënues, por është rritur tej mase shumë si futbollist. Momo është shumë, shumë i rëndësishëm për ne, natyrisht shpresoj që të jetë i tillë për një kohë shumë të gjatë“, thekson trajneri i Liverpool.