Zërat e ditëve të fundit se trajneri Jurgen Klopp do të rikthehet në Bundesligë, këtë herë si trajneri I Bajern Munih, janë hedhur sot poshtë nga menaxheri i tij, Mark Kosicke. Ai ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këto zëra dhe se Klopp do të vazhdojë të drejtojë Liverpulin sezonin tjetër.
“Nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me transferimin e Jurgen te Bayern. Ai do të vazhdojë me Liverpulin, pasi kërkon të triumfojë në Premier me këtë ekip”, tha menaxheri i Klopp. Klopp konsiderohej si kandidati kryesor për të zëvendësuar Jup Hejnkes, që erdhi në mesin e këtij sezoni te Bajerni, pas shkarkimit të Karlo Ançeloti. Por duket se Klopp ka të tjera plane, ndaj ka vendosur të mos rikthehet në Gjermani.
Ndërkohë, mes kandidatëve të tjerë për të marrë stolin e Bajernit janë Joakim Lev, Tomas Tuçel dhe Julian Nagelsmann, por duket se emri i trajnerit të ri do të jetë enigmë deri në fund të sezonit.