Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka insistuar se nuk ka asnjë mosmarrëveshje me Xherdan Shaqirin, dhe se është shumë i lumtur që e ka mesfushorin kosovar në ekipin e tij. Shaqiri kohët e fundit nuk është aktivizuar dhe kjo ka bërë që tifozët e Liverpoolit të kritikojnë trajnerin Klopp.
Në 12 ndeshjet e fundit të Liverpoolit në të gjitha garat, Shaqiri ka vetëm një minutë lojë të regjistruar në duelin e vikendit të shkuar ndaj Chelseat, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai ishte në bankën e rezervistëve edhe në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Portos, të cilën e fitoi Liverpooli të mërkurën mbrëma. Klopp ka thënë se llogarit në Shaqirin, por që Liverpooli këtë edicion ka cilësi në repartin e sulmit, shkruan Koha Ditore.
“Gjithçka është mirë me Shaqirin dhe asgjë nuk ka ndodhur mes nesh, pasi kemi raporte shumë të mira. Thjesht, kemi cilësi përpara dhe kjo ndoshta e bën pak më të vështirë situatën për të, por ai duhet të mbajë kokën lart”, është shprehur Klopp.
Shaqiri para fillimit të këtij edicioni është transferuar te Liverpooli dhe deri më tani ka 27 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar gjashtë gola dhe asistuar tri herë. Klopp ka thënë se Shaqiri po bën një punë të mirë në stërvitje dhe se sikurse çdo lojtar tjetër edhe ai bën pjesë në planet e tij këtë edicion.