Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i fajësoi gazetarët duke thënë se ata e kanë keqinterpretuar qëllimisht deklaratën e tij për stadiumin e Barcelonës, “Camp Nou”. Në një intervistë për DAZN, Jurgen Kloppi e kishte kujtuar ndeshjen e Ligës së Kampionëve në vitin 2016 mes Barcelonës dhe Borussia Monchengladbach, të cilën e drejtonte në atë kohë, ben te ditur Gazeta Express, transmeton gazeta Koha.
“Nuk ishte ndeshje elitare sepse Barcelona e dominoi shumë lojën, mirëpo ishte e rëndësishme për skuadrën që ta shohë se [Camp Nou] është vetëm një tjetër stadium futbollit dhe jo ndonjë lloj tempulli apo diçka e tillë”, kishte thënë Klopp.
Kjo deklaratë e trajnerit gjerman u konsiderua ofenduese për shumë tifozë të Barcelonës, e madje edhe nga zyrtare të klubit katalonas. Faqja zyrtare e Barcelonës e postoi në Twitter një video të stadiumit “Camp Nou” me mbishkrimin “Shtëpia jonë. Tempulli jonë. Kalaja jonë”.
Ndërsa, më i qetë ndaj kësaj deklarate të Kloppit ishte trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, gjatë konferencës së tij për shtyp para ndeshjes që do të zhvillohet sonte.
“Ajo që ai donte ta thoshte është se janë vetëm dy porta dhe 22 lojtarë që e ndjekin një top futbolli”, u shpreh Valverde.
Tani, ndaj këtij probleme ka reaguar edhe vetë Kloppi, i cili tentoi ta sqarojë situatën duke i fajësuar gazetarët.
“Kjo është një lojë e ulët. Eh, gazetarët… Unë i bëj rreth 500 mijë intervista të tilla para ndeshjeve, unë them diçka dhe ata e marrin një fjalë dhe thonë: “Ai tha se nuk është tempull i futbollit””, sqaroi Kloppi.
“Unë i thashë 500 mijë gjëra pozitive për Barcelonën dhe ju tentoni ta luani atë lojën e lehtë për ta shndërruar këtë në një problem të madh. Kam qenë tifoz i futbollit që para se të bëhesha trajner, kështu që çfarë mund të them keq për këtë stadium?”
“Por, prapëseprapë është një stadium ku dëshiron të luash futboll, futboll të mirë, futbollin më të mirë që mund ta luajmë. Kjo gjë lejohet dhe ne do të tentojmë ta bëjmë këtë”.