Dy majmunë janë klonuar në Kinë duke përdorur teknikën që prodhoi delen Dolly. Zhong Zhong dhe Hua Hua lindën disa javë më parë në një laborator në Kinë, transmeton Shqip, raportimet.
Shkencëtarët thonë se popullatat e majmunëve që janë gjenetikisht identikë do të jenë të dobishëm për hulumtimin e sëmundjeve njerëzore.
Por kritikët thonë se puna ngre shqetësime etike duke afruar botën me klonimin njerëzor.
Qiang Sun i Akademisë kineze të Shkencave tha se majmunët e klonuar do të jenë të dobishëm si një model për studimin e sëmundjeve me një bazë gjenetike, duke përfshirë disa kancere, çrregullime metabolike dhe imune.
“Ka shumë pyetje në lidhje me biologjinë e primatit që mund të studiohet duke pasur këtë model shtesë”, tha ai.
Zhong Zhong lindi tetë javë më parë dhe është emëruar pas fjalës komb në kinezçe. Hua Hua lindi gjashtë javë më parë.
Studiuesit thonë se majmunët po ushqehen me shishe dhe aktualisht po rriten normalisht. Ata presin që më shumë klone majmunësh të lindin gjatë muajve të ardhshëm.
Prof Darren Griffin i Universitetit të Kent thotë se qasja mund të jetë e dobishme në kuptimin e sëmundjeve njerëzore, por ka ngritur shqetësime etike.
“Një konsideratë e kujdesshme duhet t’i jepet kuadrit etik nën të cilin eksperimente të tilla mund dhe duhet të funksionojnë”, tha ai.
Në studimin e botuar në revistën Cell, rezulton se shkencëtarët përdorën ADN-në nga qelizat e indit lidhës të fetusit.
Pasi ADN-ja iu transferua vezëve të dhuruara, riprogramimi gjenetik u përdor për të ndryshuar gjenet që ndryshe do të kishin ndaluar zhvillimin e embrionit.
Zhong Zhong dhe Hua Hua ishin rezultat i 79 përpjekjeve. Dy majmunë të tjerë fillimisht u klonuan nga një lloj tjetër i qelizave të rritura, por nuk arritën të mbijetonin.
Dr Sun tha: “Kemi provuar disa metoda të ndryshme, por vetëm një ka funksionuar. Ka pasur shumë dështime përpara se të gjejmë një mënyrë për të klonuar me sukses një majmun”.
Shkencëtarët thonë se ata kanë ndjekur udhëzime të rrepta ndërkombëtare për kërkimin e kafshëve, të përcaktuara nga Institutet Kombëtare të Shëndetit në SHBA.