Nëse themi se sportistët dhe artistët janë ambasadorët më të denjë të kombit të tyre në botë, që nuk kërkojnë kurrfarë kompensimi as shpërblimi për këtë punë, atëherë me çfarë të drejte kërkojmë prej tyre të bëhen edhe rregullues të imazhit të politikanëve, ndërkohë që këta të fundit asnjëherë nuk e kanë kuptuar drejt rolin e artistëve, shkrimtarëve, sportistëve dhe më së paku kanë nevojë të stolisen me puplat që ua huazojnë ata për t’u dukur më të bukur në sytë e publikut
Nga Emin AZEMI
Mirënjohja që po u jepet artistëve e sportistëve nëpër botë, flet për kreativitete individuale të tyre, por jo për ndonjë burracakëri të ndonjë institucioni a politikani. Dua Lipa, tash së fundmi, por edhe emra të tjerë të kulturës e sportit, siç është, bie fjala, Majlinda Kelmendi e ndonjë tjetër, janë ‘ana e tjetër’ e botës shqiptare që po djeg çdo tentim për rrahagjoksi individësh të strukur nëpër institucione shtetërore. Është ajo ‘anë e medaljes’ ku imazhi i shqiptarëve po ndërtohet me mund individual dhe me pasion e përkushtim të pashterur, pa pritur se ndokush do t’ua shtrojë para këmbëve qilimin e lavdisë së pamerituar. Po ndodhë kjo pikërisht në kohën kur elitat politike shqiptare në Ballkan janë më të përçara se kurdoherë më parë dhe së rrjedhojë po dërgojnë anën (tjetër të medaljes) e zymtë të imazhit shqiptar në botë. Lajmet e kronikat e mbushura me sherre e prapaskena, sikur nuk po mjaftohen të pikturojnë realitetin me ngjyrat më të zymta dhe tash së fundmi është kaluar në një garë të hapur protagonizmi negativ të aktorëve të mjerë të skenës politike të shqiptarëve. Këta të fundit të zënë peng nga mazohizmi i tyre politik, që po e gatuajnë me zgjatime duarsh të huazuara edhe nga kuzhinat tjera, sikur kanë filluar ta kompensojnë imazhin negativ me pritje ceremoniale (vetëm sa për t’u dikur të buzëqeshur në foto) e postime, krejt formale, e krejt triviale dhe sikur duan të na thuan se prapa suksesit të këngëtarëve e sportistëve shqiptarë nëpër botë po qëndruakan pikërisht ata, politikanët ‘engjuj’. Pra, po ata politikanë grindavecë që janë bërë pikë e pesë me qëndrime e opsione diametralisht të kundërt, tash gjejnë kohë të bëjnë selfy me ikonat e shquara të kulturës e sportit, teksa aktrojnë figurën fuqishme të politikës shqiptare, pa kontributin e të cilit s’paska mund të triumfoj madje as Dua Lipa në ‘’Brit Awards 2019’’.
Në protokollin e shumë politikanëve tanë vazhdon të ‘farkohet’ krenaria e artistëve e sportistëve, si një aset që duhet patjetër të ‘prarohet’ në flakën e mirënjohjes ceremoniale politike. Pa këtë mirënjohje sikur mbetet i zbehtë triumfi artistik apo sportiv në planin ndërkombëtar, sepse çelësin e suksesit që ta jep katundi ynë politik, duhet mbajtur si hajmali që ruan në vete magjinë e suksesit.
Çdo kush e ka të qartë se cila është potenca financiare e shteteve tona për të ndjekur zhvillimin e ndonjë talenti në kulturë apo në sport. Dhe askush nuk po kërkon që në trumfin ndërkombëtar të talentëve tanë, sidomos të atyre që jetojnë jashtë vendit, të merr pjesë edhe ndonjë dikaster i yni shtetëror, por është e pafalshme që të kalohet me kaq komoditet në ‘gjuetinë’ e meritave të paqena, ndërkohë që ka plot talent vendor i cili nuk mundet të prosperoj vetëm pse mungon mbështetja minimale institucionale. Shembuj të tillë kanë raportuar mediat në këto vitet e fundit dhe është e tepërt të ilustrohen rastet e veçanta, sepse përshtypje e përgjithshme është se politikanëve më tepër iu intereson të fotografohen me ndonjë yll të artit apo të sportit, se sa të na tregojnë se sa ministrat e tij kanë ndihmuar konkretisht një nismë kulturore, apo ndonjë ngjarje sportive.
Nëse themi se sportistët dhe artistët janë ambasadorët më të denjë të kombit të tyre në botë, që nuk kërkojnë kurrfarë kompensimi as shpërblimi për këtë punë, atëherë me çfarë të drejte kërkojmë prej tyre të bëhen edhe rregullues të imazhit të politikanëve, ndërkohë që këta të fundit asnjëherë nuk e kanë kuptuar drejt rolin e artistëve, shkrimtarëve, sportistëve dhe më së paku kanë nevojë të stolisen me puplat që ua huazojnë ata për t’u dukur më të bukur në sytë e publikut. Në raste të tilla, një dukje si kjo më dendur asocon në një kloun që mund të përdoret për zbavitje çasti, dhe më së paku i ngjason një politike që ka të ndërtuar strategji afatgjate në zhvillimin e kulturës dhe sportit.