Konfirmohet starti i vështirë i sezonit për Klivlend Kavalirs. Në ndeshjen e pestë sezonale nënkampionët e NBA u mposhtën me rezultatin 112–107 në “Barclays Center” nga Bruklin Nets, pavarësisht paraqitjes së zakonshme të LeBron Xhejms, që shënoi 29 pikë, dha 13 asistime dhe kontrolloi 10 topa nën tabelë. Korver shtoi edhe 22 pikë të tjerë për Kavs, por nuk mjaftoi përballë Netsave, që u shfaqën më skuadër, sidomos në pjesën e dytë, teksa vetëm në pak minuta në çerekun e fundit i lanë avantazhin kundërshtarit.
Detroit Pistons kthehet te fitorja pas humbjes me Filadelfian dy ditë më parë. E gjithë meritë e Tobias Harris, që “shtypi” thuajse i vetëm Minnesota Timbervolvs, duke shënuar plot 34 pikë në fitoren 122–101 të Pistons. Fitore e vështirë e Golden Stejt Uarriors ndaj Toronto Raptors në “Oracle Arena”, në prani të thuajse 20 mijë spektatorëve. Vetëm tre pikë më shumë realizuan vendasit në këtë sfidë plot rivalitet, kur palët ndryshuan disa herë rolet, duke i marrë kryesimin njëri-tjetrit. Erik Gordon dhe Xhejms Harden, respektivisht me 29 dhe 27 pikë, rezultuan vendimtarë me lojën e tyre në suksesin e ngushtë 104–105 të Hjuston Rokets në parketin e Filadefia 76ers. Harden ishte gjithashtu autor i 13 asistimeve në një sfidë përgjithësisht të ekuilibruar, ku diferenca maksimale gjatë lojës shkoi +11 pikë për vendasit në periodën e dytë.
Për Indiana Pejsers forma e jashtëzakonshme e Oladipo, që realizoi plot 35 pikë ndaj Oklahoma Siti Thunder, nuk mjaftoi për t’i befasuar vendasit, që falë dyshes Uestbruk-Entoni (realizuan nga 28 pikë), fituan 114–96. Në fakt “ylli” i Thunder, përveçse me pikët e shënuara, pati një kontribut të jashtëzakonshëm me 16 asistime dhe 10 rikuperime. Në takimet e tjera Sharlotte Hornets fitoi 110–93 me Denver Nugets, Majami Hit iu kthye humbjes në shtëpi 100–117 ndaj San Antonio Spars, Dallas Maveriks – Memfis Grizlies përfundoi 103–94, Foeniks Sans – Jutah Xhez 97–88, ndërsa Los Anxhelos Lejkers arriti të fitonte vetëm në shtesë ndaj Uashington Uizards 102–99.