Ai është moderatori më i dashur dhe më simpatik në Shqipëri, “thumbon” personazhet e njohur por ata e duan gjithashtu shumë. Flasim për Klinton Zeqirajn, moderatorin që spikat për veshjen, por edhe për moderimin simpatik që bën në emisionin “Thumb” e ai shumë gjëra i tregon për InfraRed të gazetës KOHA!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Përshëndetje Klinton… Si shkoi dita sot dhe pse ia vlejti ta jetoje atë?
Kam patur një ditë aq të ngarkuar, sa edhe kësaj interviste po i përgjigjem në një orar të papërshtatshëm. (Buzëqesh) Çdo ditë vlen, madje kur merresh me televizion vlen dyfish, sidomos kur je pjesë e “Thumb”..!
KOHA: Cila është gjëja më e mirë që ke bërë në jetë?
Mendoj se aktualisht është fakti që jam shkolluar dhe që merrem me televizion, më pas besoj do jetë familja.
KOHA: Po ajo që duhet ta kishe menduar më gjatë dhe për të cilën je penduar?
Ndonjëherë pendohem që kam investuar shpirtërisht e kam konsumuar kohën time për njerëz që nuk vlen as t’ua përmendësh emrin. Zakonisht, këta tipa kanë të gjithë të njëjtin “emër”: Mosmirënjohës!
KOHA: Çfarë keni të përbashkët ti dhe televizioni, që nuk qëndroni dot larg njëri-tjetrit?
Duhet të pyesim televizionin. (Qesh) Unë kam kuptuar se gjëja që di të bëj më mirë në jetë është televizioni. Televizioni, me sa duket, ka kuptuar që atij i duhen njerëzit e vërtetë e pa dyshim, edhe të talentuar.
KOHA: Je prezantuar me publikun si “djali që s’ia ndjen për opinion” tani edhe “thumbon”..!
Nuk kam pse të mos e pohoj se dua të jem pak kundër rrymës, e zakonshmja bëhet e lodhshme.
KOHA: Ishte pikërisht imazhi që kishe krijuar, ai që i shtyu drejtuesit e “Thumb” të të bënin propozimin për t’u bërë pjesë e tij?
Ndoshta..! (qesh) Duhet të pyesni drejtueset pra! Unë jam mirënjohës dhe i vlerësuar që jam pjesë e “Thumb”.
KOHA: Po ti vetë, pse vendose të riktheheshe në ekran pas një periudhe mungese, pikërisht në këtë emision?
A ka vlerësim më të madh sesa të të besojnë të jesh pjesë e një formati kaq të suksesshëm, që është një ndër më të ndjekurit në Shqipëri?! Kush do ta refuzonte? Unë vendosa të rikthehesha aty ku ekrani më kërkoi.
KOHA: A është e vështirë të jesh Klintoni?
Është ca, por po e lë me kaq! (Qesh)
KOHA: Ti je shumë aktiv në mediat sociale… Nuk lodhesh ndonjëherë duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëz që i njeh e s’i njeh?
Mua më pëlqen të komunikoj me njerëzit, jam natyrë shumë sociale dhe tashmë, rrjetet sociale janë pjesë e përditshmërisë sime. Kam përshtypjen se më shumë lodhen ata që lexojnë e shohin gjithçka dhe nuk ndihen (madje, s’bëjnë as like), sesa ne që jemi aktivë e kemi komunikim direkt me njerëzit.
KOHA: Kur bëhet e lodhshme kjo punë?
Aktivizimin në media sociale unë nuk e konsideroj punë, ndaj s’di t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. (Qesh)
KOHA: A ka ndonjë moment kur dëshiron thjesht, të vësh gjithçka në Off për disa kohë? Ke tentuar ndonjëherë ta bësh?
Jo, asnjëherë. Unë di t’u vë kufij gjërave, edhe pa e bërë gjithçka Off. Rrjetet sociale i kam pjesë të përditshmërisë, por jo mënyrë jetese.
ÇFARË MENDON KUR…
…dëgjon për një këngëtare të joshur nga politikanët?
– Sa lekë ka fituar nga klikimet portali që e ka publikuar lajmin? Kam qejf ta di shumë jo për gjë por jam kurioz nga natyra..!(qesh)
…mëson se një emision i “Thumbi” ka ndihmuar dikë qoftë edhe emocionalisht?
– Hëm… është lumturi e madhe, sepse përthej thumbimit, ne edhe i bëjmë të tjerët të ndihen mirë.
…skandali zgjat vetëm tri ditë?
– Duhet ta reduktojnë kohën e kësaj shprehjes. (Qesh)
…thonë se Klintonit i pëlqen shumë vetja?
– Nuk ka ndonjë gjynah këtu. Punë e madhe se po e thonë..! (Qesh)
…dikush të nervozon aq shumë sa…
– Nuk ta përtoj shumë në këto raste. Ia them troç e drejt e në sy atë që mendoj.
…thonë se Klintoni nuk ka fare komplekse?
-Do doja të dija me ke kë folur ti para kësaj interviste…! (Qesh)