Jurgen Klinsman është gati që të kthehet në futbollin e rëndësishëm pas 3 viteve pauzë. Ish-sulmuesi i njohur gjerman, tashmë pret që të kthehet në pankinë dhe sipas mediave angleze, ka piketuar atë të Totenhemit, meqë zërat për largimin e Mauricio Poçetinos po shtohen gjithnjë e më shumë.
Klinsman shihet si një idhull nga tifozët e Totenhem, pasi sulmuesi gjerman u bë pjesë e kësaj skuadre në edicionet 1994-1995 dhe 1997-1998, në të dy rastet duke lënë shenjë me paraqitjet e sidomos golat e tij. Sipas “Daily Mail”, gjermani i cili drejtoi përfaqësuesen e vendit të tij nga viti 2004, në vitin 2006, si dhe më pas përfaqësuesen e SHBA nga viti 2011, në vitin 2016, është gati të nisë punën në një klub.
Ajo që nuk bind aq shumë drejtuesit e Totenhem është fakti se eksperienca e tij në drejtimin e një klubi është minimale. Ajo kufizohet vetëm me sezonin 2008-2009, kur u ul në pankinën e Bajern Mynih, duke rezultuar një dështim i plotë, pasi regjistroi 10 humbje në të gjitha aktivitete në atë sezon me bavarezët.