Shkup, 20 nëntor – Klinika Universitare e Gastroenterohepatologjisë përmes një kumtese i mohon pretendimet e avokatit të Bojan Jovanovskit se nuk kanë dashur ta kontrollojnë dhe se disa nga mjekët ishin tallur me gjendjen e tij shëndetësore.
Avokati, theksohet në kumtesë, e ka vërtetimin e kontrollit, është vlerësuar se nevojitet që të bëhet kolonoskopi, që te numri më i madh i pacientëve bëhet në kushte ambulante.
“Me arsyetimin se në paraburgim nuk ka kushte për pastrim, avokati i B.J. kërkon që kjo të bëhet në kushte spitalore, për çka vendos Gjykata. Pacientit B.J. i ishte caktuar kontroll të hënën (18 nëntor), me plan që të bëhet përgatitja e tij në spital, por ai nuk ishte sjellë në Klinikë. Theksojmë se me kujdes do të kontrollohen informacionet e reja mjekësore të pacientit, që për Kolegjiumin Profesional të Klinikës, megjithatë është më e rëndësishme dhe do të veprohet sipas gjendjes së tij shëndetësore, siç kërkon mjekësia e bazuar në dëshmi”, bëjnë të ditur nga Klinika.