Jola Alimemaj
Baleti ka shumë sinonime! Shumë ekuivalenca, shumë mënyra të të menduarit. Dhe pastaj…, baleti ka shumë këndvështrime, dhe shumë, shumë ndjesi. Ka një personalitet, edhe kërcimi. Është një mënyrë jetese, një zgjidhje edhe të përsëritësh në mënyrë të vazhdueshme frazën: “Ja ku jam!”. Baleti është edhe të ndalesh, ndonjëherë. E herë të tjera lëviz dhe shpërndan grimca të vogla, që bëhen më pas gjigante, jo për të shkuar te kush i shikon. A do të ketë ndonjëherë mjaftueshëm fjalë për të përshkruar baletin? Për këtë “Kosmo Magazine” i është drejtuar një profesionisti, një balerini të mirëfilltë në çdo gjë edhe në çdo ndjenjë, një fytyrë e njohur e televizionit dhe e teatrit. Natyrisht flasim për të balerinin e mirënjohur Kledi Kadiu që, nëpërmjet gjesteve dhe shikimeve arrin në zemrën e fansave. I fortë dhe i lehtë, kërcimi i tij është i përbërë nga kontrastet, por njëkohësisht edhe me tonalitetet të vogla që e bëjnë baletin e tij të veçantë.
Si lindi pasioni për baletin?
Lindi rastësisht, duke qenë se jetoja përballë Teatrit të Operas dhe Baletit dhe, gjatë shëtitjeve të më tërhiqnin posterat e spektakleve teatrale. Qysh fëmijë, sapo dëgjoja tingujt e muzikës filloja të improvizoja.
Si e kujton momentin e parë kur ke mbërritur në Itali? Si mendon se ka ndryshuar jeta jote prej asaj kohe?
Ndryshimet në jetën time ndodhën që në Tiranë, kur sapo u diplomova në Akademi, nisa të punoj si solistë në teatër; ishte shpërblimi për shumë sakrifica të bëra. Një shkollë pa pagesë por me mjeshtrat më të mirë. Prej aty ndryshoi jeta ime, kështu që në Itali isha i formuar përsa i përket karrierës artistike. Mirëpo ndryshoi vendi, e bashkë me të edhe zakonet, gjuha, mënyra e qasjes me njerëzit, është gjithmonë një ringritje, për ata që transferohen nga një vend në tjetrin.
Cilat ishin pritshmëritë e tua nga bota e kërcimi?
Të lindja dhe rritesha artistikisht në një vend ku arti, spektakli dhe sporti përbënin prioritete. Që prej fillimeve e dinim se çfarë do të bëheshim kur të rriteshim, pas një rrugëtimi akademik prej 8 vitesh. Pritshmëritë janë ato që më vonë u konkretizuan. Kishte nga ata që u ndalën e nga ata që si unë vazhduan të bënin përpara, dhe që asokohe e dija se do të kisha pasur një vend në botën e kërcimit; ishte gjithçka e paracaktuar.
Ke pasur kohë të eksperimentosh, si në botën e teatrit ashtu edhe në televizion. Cilat nga këto eksperienca ke preferuar më shumë?
Në teatër ke kontaktin e drejtpërdrejtë me publikun; ndërsa televizioni është më tepër një mjet për të shpërndarë mesazhe të forta si dhe publiciteti. Janë dy mënyra të ndryshme por nëse bëhen me të njëjtin seriozitet, sjellin kënaqësi ta pafundme. E rëndësishme është të bësh mirë atë që pëlqen pavarësisht nga konteksti që mund të jetë edhe më i ngushtë.
Ke punuar në talent show-n “Amici” të Maria De Filippi-t, qoftë si docent ashtu edhe si balerin profesionist. Nga dallojnë këto dy role për ty?
Janë role krejtësisht të ndryshëm, ajo e të qenit një perfomues si dhe të jesh një mësues. Dy eksperienca shumë të bukura, me një bagazh artistik edhe teatral të fituar gjatë viteve, që ia bashkëngjita këtij rrugëtimi. Mendoj se baleti transmeton vlera shumë të rëndësishme për t’u rritur në mënyrë të shëndetshme dhe pozitive: disiplina, edukimi, respekti, angazhimet, sakrificat, forca e vullnetit, këmbëngulja janë karakteristika që formojnë një individ përsa i përket bagazhit teknik, dhe që forcojnë karakterin e tij.
Cilat janë mësimet më të rëndësishme që një balerin duhet të mësojë në fillimet e tij? Cilat janë vlerat kryesore që dëshiron të përcjellësh tek ata?
E rëndësishme është të angazhohesh dhe të studiosh me seriozitet; nga kjo mund të lind suksesi dhe çdo gjë tjetër që vjen bashkë me të. Nëse dikush ka një pasion, është e drejtë ta jetojë duke i’u gëzuar në çfarëdolloj fushe, jo domosdoshmërit ta bëjë profesion të tij. Mendoj se njerëzit që tërhiqen nga bota e spektaklit iluzionohen nga një botë mediatike ku çdo gjë mund të arrihet lehtë. Të rinjtë duhet të kuptojnë se duhet të kenë uri për dije dhe të jenë kurioz; kjo mund t’i ndihmojë në rrugëtimin e jetës së tyre. Profesioni i baletit është shumë i vështirë, ka shumë punë pas një performance, ka gjithmonë vend për përmirësim pavarësisht rezultateve të mëdha. Është shumë kompleks mekanizmi i një artisti.
Ke pasur mundësi të punoje edhe në kinema. A do ta përsërisje një eksperiencë të tillë?
Jo, janë eksperienca, të cilat i pata falë suksesit, situata kalimtare. Kam investuar një jetë të tërë në balet, dhe nuk mund të matem me dikë që ka studiuar në një kontekst tjetër. Varet gjithmonë nga lloji i kërkesës, pra nga roli im.
Nëse do të bëje një bilanc të karrierës tënde si do të ishte?
Bilanci është shumë pozitiv. Kam bërë gjëra të cilat as që i kisha imagjinuar. Ka pasur njerëz që besuan tek unë dhe talenti im. Por nëse ka njerëz që gjatë karrierës të japin besim, kjo varet dhe nga mënyra se si njeriu sillet. Besoj se suksesi ka ardhur nga një sërë faktorësh, jo vetëm nga talenti dhe zotësia.
Cilat janë projektet e tua të ardhshme?
Tani jemi duke krijuar stafin për sezonin e ri të “Amici-t”, kam shkollën time të baletit që prej vitit 2003 në Romë, të cilën po planifikojmë ta zgjerojmë. Ndërsa, kohën tjetër ja dedikoj familjes sime dhe bashkëshortes sime, me të cilët dua të relaksohem gjatë pushimeve, ndoshta duke zbuluar vende të reja dhe të ndryshme. (shekulli)
NGA TIRANA TEK EKSPERIENCAT TELEVIZIVE NË ITALI
I lindur në Tiranë, Kledi Kadiu është bërë pjesë e Akademisë Kombëtare të Kërcimit në një moshë shumë të re ku është edhe diplomuar në vitin 1992. Në të njëjtin vit është bërë pjesë i trupës së Baletit të Teatrit të Operas ku edhe ka pasur role solistike, si “Giselle”, “Arrëthyesi”, “Don Kishoti”, “Daphnis dhe Chloe”. Në vitin 1996 ka pasur eksperiencën e parë televizive në Itali, kur është bërë balerini i parë në programet kryesorë të asaj kohe. Në vitin 2004 Kledi ka hapur një shkollë kërcimi: “Kledi Dance”. Ka fituar çmime të shumta, një ndër të cilët mban emrin e Gino Tani, si artisti i vitit; ndërsa ish- Presidenti Alfred Moisiu e ka vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”, “për interpretimin virtuoz të artit koreografik dhe përfaqësimin dinjitoz të imazhit dhe të vlerave të Shqipërisë jashtë vendit”. Në vitin 2009 doli edhe autobiografia e Kledit në Itali, “Më mirë se sa një përrallë: jeta ime”, ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2014 ka prezantuar programin “Danza” në Rai 5. Në vitin 2013, Kledi është kthyer në emisionin “Amici” të Maria De Filippi-t, por kësaj here në rolin e mësuesit të baletit. Ndërkohë ka pasur edhe eksperienca, si aktor: ka recituar në “Passo a due (2005), La cura del gorilla (2006), Ma chi l’avrebbe mai detto (2007) dhe La Nave dolce (2012), si dhe në videoklipet e disa këngëve, si “Non vergognarsi”, “Vamos a bailar” i Paola dhe Chiara, si dhe “Guardarti dentro” i Alexia-s. Në dimrin e vitit 2016 rikthehet gjatë natës së parë në rolin e “kapitenit të skuadrës”, në sezonin e parë të “Pequeños gigantes”, talent show për fëmijë i drejtuar nga Belen Rodriguez në Canale 5.