Anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve sot ua ndau vendimet anëtarëve të rinj të Këshillit të Komunës së Kumanovës, gjithsej 33. Në këshillin komunal të Kumanovës, Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja hyn me 16 anëtarë, Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja me 11, BDI-ja me tre, Lëvizja BESA me dy dhe një këshilltar është nga Aleanca për Shqiptarët. Në solemnitet, kryetari i KKZ Kumanovë Zvonimir Nikollovski këshilltarëve të sapozgjedhur u dëshiroi punë të suksesshme. Kryetari i komunës Maksim Dimitrievski ua uroi zgjedhjen këshilltarëve dhe tha se është i hapur për bashkëpunim me të gjithë këshilltarët për idetë, projektet dhe mendimet e tyre.
“U qëndroj në dispozicion të gjithë juve pa dallim se nga cila parti politike vini, unë jam kryetar komune i zgjedhur nga ana e qytetarëve dhe dëshiroj t’i përfaqësoj të gjithë qytetarët e Kumanovës, ndërsa do të përpiqem që në periudhën e ardhshme ta fitoj edhe besimin e qytetarëve të cilët nuk ma dhanë mbështetjen në këto zgjedhje. Do t’i prezantoj qëndrimet dhe mendimet e të gjithëve, njëherit apeloj deri tek të gjithë ju se jam i hapur për të gjithë propozimet, projektet dhe idetë e juaja, ndërsa gjithashtu edhe të kandidatëve për kryetarë të komunave të cilët ishin kundër-kandidatë të mi në këto zgjedhje”, deklaroi Dimitrievski. Bartësit e listave të partive dhe koalicioneve të cilët hynë në Këshill, premtuan se do të angazhohen për përmbushje të nevojave të kumanovarëve.
Atina Murgashanska, bartëse e listës së Koalicionit të kryesuar nga LSDM-ja, deklaroi se do të punojnë në interes të qytetarëve dhe se Këshilli është vendi i vërtetë për krijim të politikave qytetare. Bartësi i listës nga Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” Dragan Petkovski, theksoi se do të angazhohet për realizim të projekteve të premtuara ndaj qytetarëve, si dhe se do të jetë korrektues i punës së pushtetit lokal. Edhe bartësit e tjerë të listave nga BDI-ja Fatmir Idrizi, Naile Osmani nga BESA dhe Osama Muadini nga Alenca për Shqiptarët premtuan realizim të projekteve, me qëllim të zhvillimit më të mirë të Kumanovës.