Kjo Evropë që të lë në baltë!

E futën në valle të rrezikshme Ukrainën dhe nuk i qëndruan prapa! Tash e shpërblejnë kur statusi i vendit kandidat nuk luan ndonjë rol kundrejt faktit që ka humbur një të tretën e territorit. Evropa nuk e mësoi leksionin e vonesave te Ukraina, vazhdon të tolerojë huqet e anëtarëve të tyre që sillen pa pikë mëshire ndaj fqinjëve të dobët, edhe pse kjo është një kërcënim gjeopolitik me rritjen e euroskepticizmit…

 

Nga Daut DAUTI

Më dhemb shumë populli i Ukrainës. Edhe Zelenski edhe Kliçko e Poroshenko bashkë. Një heroizëm i paparë kundrejt një superfuqie që në arsenalin e vet ka gjithçka, madje dhe për ta shkatërruar botën dhjetëra herë, me gjithë veten. Me Ukrainën po vuajmë të gjithë ne që s’kemi lidhje me luftën, por që kemi lidhje me grurin, vajin, naftën, gazin e gjërat tjera që na vinin nga këto dy vende. Asnjëherë s’e kemi menduar se sa janë të rëndësishme. Sepse arat tona i lamë djerrë, pa mbjellë drithëra, kur e dinim se prej andej na vijnë më lirë se sa t’i prodhojmë vetë. Duke mos e menduar se një ditë, si kjo, mund të përmbyset gjithçka. Por, kjo nuk është çështja ironike për të cilën po rrah ujë në havan për ta përmbushur obligimin tim ndaj gazetës. Dhe nuk se jam duke shkruar temë koti, por një temë që s’di nga e ka kokën e nga bishtin. Më shumë se për Ukrainën gjuha më shkon atje ku na dhemb më tepër, te Evropa. Te kjo Evropë e cila interesin e ka mbi çdo parim. Mbi çdo drejtësi. Që luan si t’i teket dhe të mos skuqet. Që të fut në telashe dhe s’të del zot! Si tash Ukraina, e cila i besoi Evropës dhe Perëndimit dhe ia mori mendja se kur t’i dalë “arushës” përpara, do t’i ketë ”gjuetarët” prapa shpine!

Advertisements

Maqedonia dhe Shqipëria po e përjetojnë në lëkurën e tyre gjithë hipokrizinë e Evropës. Sepse, shihni lëvizjet taktike të saj. Ato nuk kanë vizion, janë një shkurtpamësi frapante. E fusin Ukrainën në BE, i japin statusin e kandidates, në kohën kur ajo po digjet, kur një në një të tretën e territorit nuk ushtron më sovranitet shtetëror, me tendencë të tkurret edhe më! Çfarë i duhet tash Ukrainës statusi i vendit kandidat, me një të tretën e territorit më pak, çfarë do të thotë ajo në frontin e luftës përballë Rusisë? Vetëm sa për t’ia t’ia flladitur shpirtin e djegur të zemërplasurit Zelenski, sa të dalë para kamerave dhe të shprehet i ekzaltuar se po arrijnë ndonjë objektiv të deklaruar më parë? Edhe një lojë koti, sepse Ukrainës i nevojitej çadra e NATO-s dhe jo i BE-së. Dhe jo tash, por shumë kohë më parë!

Të njëjtën lojë si me Ukrainën si duket po e bëjnë me dy shtetet shqiptare dhe me Maqedoninë. Ende sillen e pështillen rreth do kritereve të cilat dy të tretat e shteteve të BE-së mund të mos i kenë plotësuar vetë. Paramendoni një Greqi anëtare e BE-së, e cila nuk njeh të drejta pakicash në shtetin e vet. Një Greqi që kundrejt një Maqedonie kishte humbur edhe procesin në Gjykatën e të Drejtës për çështjen e emrit, por dhe për të drejtën e pakicës maqedonase në Greqi në Gjykatën e Strasburgut. Paramendoni një Greqi që luan “mastrapalla”me shtetin shqiptar, jo të drejta minoritetit grek, jo varreza ushtarësh (okupatorë)grekë, jo këtë, jo atë, ndërkaq vetë e përlyer gjer në gushë me politikat shoviniste shpopullzuese, ku është heshtur tërësisht zëri i shqiptarëve që me shekuj kanë jetuar atje. Dhe paramendoni, ta shtrojë një çështje Shqipëria në këto pretendime dhe do të dalë Greqia,po ne s’kemi çështje të hapura, nuk kemi probleme me minoritet shqiptar(normalisht që s’kanë, kur i kanë heshtur me aparat shtetëror). Sa zhurmë bënte për të realizuar Shqipëria regjistrim me deklarim të përkatësisë etnike, ndërkaq po ta shtronte Shqipëria këtë çështje që Greqia të bënte regjistrim të tillë, do të bëhej hataja, kjo do të ishte politikë nacionaliste me kushedi çfarë pretendimesh të shpikura!

Dhe tash Evropa toleron një Bullgari, e cila sillet si ajo dhelpra ndaj gjarprit, kur këtij ia kishte zënë rrasa bishtin. Por, jo rrasa por fqinji ia ka zënë bishtin fqinjit, sepse vetë është ANËTARE e BE-së, ka të drejtën e vetos, edhe kur nuk ka të drejtë, sepse edhe nëse ka diçka kontestuese në marrëdhëniet ndërfqinjësore të dy popujve, ato nuk janë çështje kriteresh e Evropës, por ballkanike, janë çështje që mund me shekujt të jenë të hapura dhe asnjëherë të mos zgjidhen. Dhe BE-ja në këto raste rreshtohet pas anëtares së vet. I thotë palës më të dobët merru vesh ti me fqinjin, se ne nuk duam të ju pranojmë nëse keni këso problemesh… E dëgjoja një intelektual bullgar i cili gjithë kohën, si në atë meselenë e deles dhe ujkut, akuzon Maqedoninë për gjëra që pikërisht Bullgaria është jo parimore. Sepse parimi i parë i shkelur është shkelja e marrëveshjes së bashkëpunimit, ku Bullgaria obligohet ta ndihmojë Maqedoninë, e jo ta pengojë në rrugën për BE! Atje në Sofje dikush e ka kuptuar anasjelltas. Dhe ky intelektuali gjithë kohën fliste se Maqedonia duheshka t’i fusë bullgarët në kushtetutë, ato disa qindra të regjistruar vitin e kaluar, po nejse, kjo nuk është edhe ndonjë problem i madh. Problemi është te asimetria, si te Greqisë ndaj Shqipërisë. Ky intelektuali “proevropian” kërkon bullgarët në kushtetutë të Maqedonisë dhe në një televizion shqiptar thotë se ata e pranojnë popullin maqedonas dhe gjuhën e tyre, por i pyetur se çka bëhet me pakicën maqedonase në Bullgari, ai thotë ajo pakicë nuk ekziston! Sepse kushtetuta bullgare nuk paska kategori etnike! Për ata që deklarohen si maqedonas atje, thotë se janë sajesë e UDB-ës jugosllave. Harron se për këtë çështje asaj pakice i kishte dhënë të drejtë Strazburgu.

Po si në rastin e Greqisë dhe Bullgarisë, për to nuk vlejnë e drejta ndërkombëtare, të drejtat universale, ato vetë krijojnë kornizat siç u përgjigjet, paçka se prej fqinjëve kërkojnë krejtësisht diçka tjetër. Dhe BE-ja pastaj,presionin e bën ndaj atij që është jashtë BE-së.

Njësoj BE-ja po sillet edhe me Kosovën. I vunë kaherë disa kritere, që deri tash shumë herë janë plotësuar sa për t’i hequr vizat, por jo. I dëshpëruan edhe tash kur pritej se do të hiqen. Me kushedi të satin pretekst për këto ose ato kushte, i lanë kosovarët të izoluar. Të paktën në një pikë, atë të luftimit të korrupsionit, duhej ta shpërblenin Kosovën, sepse me ardhjen në pushtet të LVV-së, në këtë fushë gjërat kanë ndryshuar.

Ajo që situatat me këto tri shtete e bën të përafërt me atë të Ukrainës së para disa viteve, është faktori kohë. Duke e zvarritur integrimin e këtyre shteteve, rrisin euroskepticizmin dhe inkurajojnë forca që mendojnë tjera kahe orientimi gjeopolitik. Prandaj është shumë me vend sarkazma e Edi Ramës në adresë të Bullgarisë, e cila sillet si një vend jo evropian duke mos pasur aspak konsiderata për situatat gjeopolitike. Në aspektin strategjik, për shqiptarët mund të jetë shumë problematike edhe afrimi i Serbisë, e cila nesër mund të bëhet pengesë për Kosovën, nëse për shkaqe gjeopolitike do t’i jepnin asaj ndonjë karrem dhe ta rreshtonin përpara Kosovës.

Dhe ti pastaj trokit në derë të BE-së kur ke anëtare që kështu në mënyrë hipokrite dhe hegjemoniste i shikojnë gjërat.

Më shumë se për gjithçka tjetër, më dhimbset Ukraina se u bë viktimë pikërisht e politikave dyfytyrëshe dhe të pa vizion. E tërhoqën afër, pa ia llogaritur aspektet e brendshme dhe të jashtme të sigurisë dhe tash nën kërcënimin territorial nga agresori rus, Evropa vetëm mund t’i ndihmojë me deklarata bosh. Në këtë pikë, mungesa e vizionit është edhe te pala e mashtruar në këtë mes, te politikanët ukrainas, të cilët duhej të dinin deri ku mund të shkojë përkrahja evropiane e qorrfishekëve në fushën e luftës, dhe të shpallnin neutralitetin që tash janë të gatshëm ta bëjnë, por është vonë, një e treta e territorit, duke përfshirë pjesën më të madhe të bregdetit, nuk e kanë më nën kontroll. Mund të tingëllojë vrazhdë, por politikat e këtilla i kanë dhënë krahë Putinit, i cili tash po tallet jo vetëm me BE-në, por me gjithë botën, pa i bërë syri pët!

Dhe kur jemi te Maqedonia jonë e Veriut, po e përsëris një qëndrim të mëhershëm. Është koha për të shpallë moratorium edhe në bisedimet me Bullgarinë, edhe në procesin eurointegrues. Le të merret Bullgaria dhe vetë le t’i zgjidhë kontestet në mënyrë asimetrike, ashtu siç po sillet. Sigurisht edhe BE-ja do të ishte më e lumtur pa Shqipërinë, Maqedoninë e Kosovën.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)