Të humbasësh dhe të festosh. Të humbasësh dhe të këndosh nga gëzimi. Të humbasësh dhe të hysh në histori. Megjithatë nuk ka asgjë të dyshimtë. SpVg Niederndorf II është skuadra e dytë e një qyteze gjermane, e cila është e regjistruar në kampionatin e futbollit amator. Në ditët e kaluara, lojtarët e klubit, për herë të parë në jetën e tyre, janë intervistuar nga dhjetra gazetarë. Ndeshja që kanë luajtur është transmetuar në radio, madje disa pjesë të takimit janë transmetuar në televizor. Dhe merita nuk është e Uebach, autor i 11 golave. Më saktës, ky ka qenë pjesërisht lajmi sepse Niederndorf II ka hedhur në fushë, për herë të parë në historinë e futbollit gjerman, një ekip të përbërë nga lojtarë që kanë pasur të gjithë të njëjtin mbiemër: Uebach. Për më tepër, pjesa më e madhe e tyre, përveçse kanë lidhje familjare, jetojnë në Uebach-Strasse (Rruga Uebach), pak metra larg lumit Uebach. Nga portieri te sulmuesi, duke kaluar nga lojtarët e stolit, trajneri dhe drejtuesit: të gjithë me të njëjtin mbiemër. Dhe nuk ka qenë një gabim shtypi apo një shaka.
Freudenberg është një qytezë me më pak se 18 mijë banorë. Pjesa më e madhe e të cilëve quhen Uebach. Kjo në nder të lumit që kalon në qytet. Rruga kryesore quhet Uebach-Strasse, ashtu si qindra banorë të zonës. Për shkak të disa dëmtimeve dhe disa kualifikimeve, Niederndorf II ka pasur katër mungesa për ndeshjen kundër Littfeld II. Asnjë prej të cilëve nuk quhej Uebach. Prej këtu ka lindur ideja: huazimi i lojtarëve nga ekipi i parë i lojtarëve me emrin Uebach. Ndeshja është fituar 11-3, por duke parë se Uebach-ët e huazuar nga ekipi i parë kishin luajtur në fundjavë, gjykatësi sportiv ka dhënë humbje në tavolinë për Niederndorf II. Kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse për Uebach-ët, të parët në historinë e futbollit gjerman që kanë përbërë një ekip me lojtarë që kishin të njëjtin mbiemër, ka qenë gjithsesi një sukses.