Delegacioni Shtëtëror ka punuar tash e sa kohë në Platformën për Dialogun për bisedimet me Serbinë.
Kjo platformë është finalizuar dje dhe është votuar në mënyrë formale me votë unanime në Delegacionin Shtetëror.
Po e njëjta platformë sot do t’i dorëzohet kryeparlamentarit derisa javën tjetër pritet të shkojë në Kuvendin e Kosovës.
Klan Kosova ka arritur të sigurojë ekskluzivisht Platformën për Dialogun ku thuhet se ky dokument “përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar tё Republikёs sё Kosovës në procesin e dialogut. Pёrmes saj synohet arritja e konsensusit sa mё tё gjerё politik dhe shoqёror nё procesin e dialogut me Serbinё”.
Në Platformën e Dialogut bëhet e ditur se Delegacioni Shtetëror do të punojë sipas dhjetë parimeve kryesore.
“Qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në parimin e parë.
Në pikat e parimit të parë theksohet se Serbia duhet të të ndërpresë të gjitha aktivitetet që pengojnë Kosovën në rrugën drejt njohjes ndёrkombёtare si shtet i pavarur dhe sovran, të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial, të heqё dorё nga kundërshtimi ose ndikimi mbi palёt e treta që të kundërshtojnë çfarëdo aplikimi nga Kosova për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OSBE-në dhe agjencitë e tyre si dhe të tjera.
Parimi i dytë i këtij dokumenti nëntfaqësh thuhet se “nuk ka marrёveshje pёr asgjё deri sa tё mos ketё marrёveshje pёr gjithçka”.
Në një nga parimet e kësaj Platforme thuhet se “marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetё e qartё dhe pa dykuptimësi”.
“Pёrvoja tregon se qasja e dykuptimёsisё konstruktive ka rezultuar nё zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani. Kjo praktikë mund të rezultojë me stagnim dhe mosmarrëveshje eventuale. Dialogu duhet të vazhdoj derisa të dyja palët të ndajnë një kuptim dhe interpretim të përbashkët të asaj se çfarë është rënë dakord”, theksohet në dokument.
Platforma për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtara, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrushem për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë potencon se nuk duhet të cenohet territori dhe i njëjti është i pandashëm.
“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj” (Neni 2(2)). Integriteti territorial i Kosovës garantohet gjithashtu nga e drejta ndërkombëtare”.
Mes tjerash, ky dokument zyrtar i Delegacionit Shtetëror thotë se marrëveshja përfundimtare mes të dyja vendeve hyn nё fuqi vetёm pas plotёsimit tё disa kushteve si në vijim:
“a) Serbia ka njohur Kosovёn si shtet i pavarur dhe sovran, b) referendumi pёr marrёveshjen ёshtё mbajtur nё Kosovё, dhe c) marrёveshja ёshtё ratifikuar nga Kuvendet e tё dyja shteteve”.