Lufta e shumëpritur në mes të Majlinda Kelmendit dhe xhudistes japoneze, Uta Abe do të zhvillohet pas pak minutash në Kampionatin Botëror “Tokio 2019”, që po zhvillohet në Japoni, shkruan Insporti.com, përcjellë gazeta KOHA.
Majlinda rrugëtimin deri në gjysmëfinale nuk e pati aspak të lehtë, por që fituesja e medaljes olimpike është duke shkuar me hapa të sigurtë drejt triumfit në këtë kampionat.
Kelmendi në çerekfinale e mposhti bashkëkombësen e Abes, Ali Shishime dhe tani e gjithë vëmendja do të jetë në luftën Kelmendi – Abe.
Por, kush është xhudistja japoneze Abe?
Abe e kishte fituar të artën në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar, derisa fituesja e medaljes së artë olimpike në Rio para tre vitesh, dhe dy herë kampionia e botës Majlinda Kelmendi, mungoi shkaku i lëndimit.
Ato të dyja nuk janë takuar asnjëherë në gara, me 19-vjeçaren që është kampionia në fuqi e botës që është bartësja e dytë, pas medalistes së bronztë të vitit të kaluar, francezes Amandine Buchard.Majlinda ndërkaq, është bartësja e gjashtë.
“Nuk kam pasur kurrë përballë Kelmendin, por dua që ta mposht atë më shumë se këdo tjetër. Ajo është shumë e fortë dhe është ajo që unë duhet ta mposht”, tha Abe për Olympic Channel duke folur për duelin e mundshëm me Majlindën.
“Fuqia e saj më lë përshtypje më shumë se e kujtdo. Do të shkoj në meç me besimin se do të fitoj, pa marrë paraysh asgjë”, tha ajo.
“Mendoj se në kategorinë 52 kilogramë, të gjithë do të thonin se Kelmendi është numri një kështu që duhet ta mund atë dhe të dëshmoj se unë jam më e forta”, tha ajo.Ndërkaq, Majlinda pasi fitoi të artën në Lojërat Evropiane në Minsk, Bjellorusi, tha se mezi e pret këtë duel.
“Po e pres me padurim. Abe ka dalur në skenën botërore kur unë u lëndova dhe deri më sot nuk e kemi luftuar njëra tjetrën”, ka thënë Majlinda.
“Ajo është shumë e mirë, ka aftësi të mahnitshme të gjuajtjes, por edhe unë jam e mirë, kështu që besoj se do të jetë luftë e fortë”, ka thënë ajo rreth një dyluftimi potencial me Uta Aben.