Shkup, 15 shkurt – Adresa me numër Rruga “180”, nr.70-32/25 – Tetovë, ekziston, por është një banesë në një bllok ndërtesash, pa ndonjë shënim se këtu diku, ekziston Shoqata e Artistëve Shqiptarë “Art Tetovë”, shkruan gazeta KOHA.
Asnjë nga banorët, por edhe përgjegjësit juridik të banesave nuk di të tregojë nëse në ndonjërin nga këto komplekse banesore ushtron aktivitet ndonjë shoqatë e artistëve shqiptarë, ndërsa një banor thotë vetëm se ekziston një banesë e zbrazur – e dhënë me qera për një person nga Kërçova.
“Megjithatë, aktivitete ose lëvizje të njerëzve nuk kemi parë, përveç herë pas herë të atij nga Kërçova që e ka banesën, më duket me qera”. Në ndërkohë, po në këtë adresë – në Regjistrin qendror të Republikës së Maqedonisë është e regjistruar që në vitin 2008 kjo shoqatë e që nga Ministria e Kulturës ka fituar tre projekte në vlerë prej 2.400.000 denarë.
Në adresën e “shoqatës” (banesë pa shënim) për të cilën askush nuk ka njohuri për aktivitete kulturore, sipas rezultateve të Programit të Ministrisë së Kulturës, do të duhet të realizohet projekti “Ti njohim vlerat tona”, me 900.000 denarë. (koha.mk)