Kjo BE s’është BE që njohim!

69

Konstatimet janë të tepërta që BE ka hequr fokusin apo dhe dëshirën për të kuptuar një pjesë të kontinentit të saj. Çështja është ç’do bëhet më tej? Pezmatimi im vjen këtu, ku prej vitesh të gjithë bëjnë strucin dhe nuk duan ta pranojnë se tashmë duhet gjetur një motiv i ri për përparimin, e ky nuk është Bashkimi Evropian siç e njihnim e siç ishte menduar më parë

Nga Nazim RASHIDI

Mungesa e realitetit ka qenë dhe është problem i klasës politike e ndërlidhur kjo me mungesën e përgjegjësisë si dhe veprimin mbi baza interesash personale e grupore para atyre të përgjithshme.

Në kulmin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021 kjo mund të vërehet nga premtimet e bëra me lehtësinë më të madhe që janë reflektim i qasjes që kanë ata që marrin pjesë në garë për politikën dhe rolin e saj. Të përmbledhura nga kolegë gazetarë, disa prej tyre mund të jenë burim frymëzimi për fantashkencë.

Për shembull, një premtim thotë se qytetarët në Shkup do të mund të udhëtojnë nga një cep i qytetit në tjetrin me anije. Kjo sepse, sipas asaj që thuhet, lumi Vardar do të bëhet i lundrueshëm. Një premtim tjetër thotë se autobusët do të ecin në rrugë të posaçme të ngritura lartë mbi rrugët aktuale. Sigurisht premtimet nuk përfundojnë me kaq, apo edhe vetëm me Shkupin, disa prej tyre thonë se qytetet tona do të jenë solare, se do të ndërtohen hapësira për biçikleta e trotineta të cilat do jenë mjeti kryesor i transportit. Të tjerët thonë se çdo ndërtesë që ka kulmin e rrafshët sipër tij do të ketë park. Një nga premtimet madje thoshte se hapësirat e gjelbërta do ujiten me shi artificial.

Në fakt nuk e di a ka pamje më të bukur, gati-gati e tëra duket si një skenë e filmit Dune, aq të pritur për mua e mbase edhe për shumë të tjerë adhurues të gjinisë së filmave fantastiko-shkencorë. Ku avancimi teknologjik e i shoqërisë duket aq i afërt dhe sigurisht e bën e pyetjen se pse ikin njerëzit nga ky vend? Pse ik rinia? Aq më shumë kur disa nga premtimet për ta janë po aq fantastike. Thuajse çdo gjë do jetë falas pas 17 tetorit. Sipas disa premtimeve nxënësit do kenë atlete falas, uniforma falas, veshje sportive falas. Madje falas do jenë edhe kurse të ndryshme. Disa vakte ushqimore do jenë falas, disa të tjera pesëdhjetë përqind më lirë. Një jetë ideale për prindërit të cilët për shkollime dhe kujdes për fëmijët s’do duhet të paguajnë asnjë gjë.

Pse ikin njerëzit në Evropë, kjo është çështja?

Këto premtime vinë mu në kohën kur Evropa, ose më saktë Bashkimi Evropian, po jep shuplakën e radhës për Ballkanin Perëndimor. Premtimet pikërisht sikur duan të thonë këtu do e kemi më mirë. Madje edhe vendet më të zhvilluara të BE-së do na kenë zili.

E kështu papërgjegjësia totale si me sjelljet politike të realitetit që e jetojmë, si me premtimet aq të parealizueshme, kur përplasen me paqartësinë e prespektivës evropiane të mbështjellë me fjalë të mira, por me asnjë mundësi zbatimi, krijon dëshpërimin e madh që kap,nga ato breza që Evropën e kanë pasur ideal e model, ku bëj pjesë dhe vetë e deri tek të tjerët që janë lodhur duke dëgjuar për Evropën, e cila asesi të vijë tek ne, por e konsiderojnë si një thithëse të më të mirës të mbetur tek ne.

Por sigurisht, konstatimet janë bajate.

Madje janë të njëjtat prej kohësh.

Ekspertët e marrëdhënieve me publikun që kujdesen për imazhin e BE-së do thonë se ja në samitin e fundit në Brdo të Sllovenisë BE do përsërisë synimin se Ballkani Perëndimor do jetë pjesë e kësaj Bashkësie. Gjithashtu do theksohen edhe miliardat e eurove që do ndahen në shtatë vitet e ardhshme. Por e vërteta është se siç tha Edi Rama, më askush nuk pret më asgjë nga BE.

Njerëzve, më shumë se gjithçka, ju duhet ideja për Evropën, ajo frymë e BE-së, të cilën Evropa e ka humbur vetë, e pa të cilën do jetë vështirë të gjendet shtysa për të shkuar përpara. Askush nuk u beson broçkullave elektorale që as në filma nuk gjenden, ajo që kërkohet është aq bazike e ka të bëjë me dinjitetin, përgjegjësinë dhe realitetin. Askush s’ka iluzione se do udhëtojmë me autobusë fluturues, apo se shumëçka do jetë falas, por ajo që s’duhet të jetë iluzore është ndjesia që ka zhvillim dhe përparim, e këtë prej vitesh e sillte ideja e Evropës. Por siç thashë, konstatimet janë të tepërta që BE ka hequr fokusin apo dhe dëshirën për të kuptuar një pjesë të kontinentit të saj. Çështja është ç’do bëhet më tej?

Pezmatimi im vjen këtu, ku prej vitesh të gjithë bëjnë strucin dhe nuk duan të pranojnë se tashmë duhet gjetur një motiv i ri për përparimin, e ky nuk është Bashkimi Evropian siç e njihnim e siç ishte menduar më parë. Sjellja e mospranimit se BE nuk ka ndjesinë e mëparshme ndaj nesh, është po aq e papërgjegjshme sa ato premtimet skandaloze. Mbase të gjitha janë reflektim i të njëjtës mendësi ku politika shihet thjesht si një lojë, ku secili mund t’ia fusë si të dojë llafeve, por realitetet dhe prioritetet janë të tjera tashmë.

Shoqëritë tona duhet të hapin debate serioze, akademitë, akademikët, studiuesit, shkollarët, organizatat e të gjithë ne me angazhim shoqëror që duam të gjejmë busullën e të ardhmes duhet të fillojmë pa frikë të bëjmë pyetjen se cila do jetë e ardhmja? Çfarë strategjie do ndjekim pa BE-në si shtysë?

Është totalish infantile, madje dhe tradhtare si koncept mospërballimi me realitetin kur e sheh që anija po shkon drejt shkëmbinjve dhe sillesh sikur ato nuk ekzistojnë.

Parimi i parë që s’do duhet të ketë diskutim është se vendi duhet të modernizohet dhe përparojë duke marrë për bazë vendet e zhvilluara. Këtu pa diskutim që po aq të rëndësishme janë demokracia, zbatimi i ligjeve, llogaridhënia dhe drejtësia. Me BE-në si perspektivë ose jo, nga ky kurs s’duhet lëvizur. Pa diskutim dhe parësore është dhe përkatësia tek vlerat civilizuese dhe kulturore evropiane pa të cilat nuk do mund të ushqehemi shpirtërisht dhe intelektualisht nëse nuk punohet për përhapjen e humanizmit dhe barazisë si koncepte themeltare të shoqërisë. Por edhe për këto elemente nuk di a duhet më të jetë BE shtysa siç ka qenë.

Narrativi politik, por edhe vizioni i së ardhmes duhet të ketë një bazë të re, ku nuk duhet fshehur ideja e padëshiruar që BE mund edhe për shumë vjet të fol veç fjalë e mos bëjë veprime, por ku vendi e shoqëria të gjejë rrugën e vetë, duke ndalur ankimet. Ishte shok, madje ngjalli dhe zemërim kur Presidenti Makron shpalli para disa muajsh nismën për reformimin e mënyrës së anëtarësimit e si rrjedhojë edhe ndalesën e hovit të anëtarësimit. Por shoqëritë tonë duhet ta kenë kaluar më këtë fazë. Duhet të përballen me realitetin se BE nuk është ajo që ka qenë. Çështja është ç’do bëjmë ne më?

Do hamë kopalla premtimesh si ato më sipër, ku mund të bëjë pjesë edhe ideja e anëtarësimit në BE, ose do biem me këmbë në tokë e do marrim veten dhe politikën seriozisht, për të ecur përpara. Nëse refuzohet të shihet realiteti në sy, se BE s’është ajo BE që e mendojmë, e njohim dhe e duam, do jetojmë iluzionin, e ai vetëm do sjellë zhgënjim dhe pasurim të lundruesve së amullive, një realitet i hidhur, mu si në filmat fanastiko-shkencor, që e shohin të ardhmen të zymtë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)