Mjeku i Kombëtares së Kosovës, Dr. Murat Berisha, ka folur për përvojën e tij 12-vjeçare me futbollistët kosovarë. Në një bisedë për Gazetën Shneta, Berisha tregon për funksionin e tij në ekip, për shëndetin e “pacientëve” të tij dhe për testet anti-doping
Para 12 viteve me një vendim të ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, tani i ndjerë Fadil Vokrri, Dr. Murat Berisha ishte emëruar në pozitën e mjekut të futbollistëve të Kombëtares së Kosovës. Që nga atëherë, Berisha i shoqëron të përzgjedhurit e Kosovës në çdo grumbullim të tyre, në Kosovë dhe jashtë vendit qoftë në lojë miqësore apo në ndonjë garë tjetër, shkruan Gazeta Shneta, transmeton Koha.mk
Bashkë me Berishën janë edhe dy fizioterapeutë, Ismet Shalaj dhe Zheraldin Derguti, ndërsa në rast nevoje angazhohen edhe mjekë të tjerë nga FFK. Specialisti dhe drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, Dr. Murat Berisha, në një bisedë për Gazetën Shneta, tregon se është në kontakt të vazhdueshëm me futbollistët e Kombëtares, të cilët në jo pak raste i kanë bërë të ndihen krenar qytetarët e Kosovës.
“Lojtarët janë shumë të edukuar në aspektin sportiv, nuk i fshehin lëndimet dhe janë natyral. Nuk përdorin substanca të ndaluara”, deklaron Berisha. Ai tregon se ka kryer të gjitha trajnimet dhe ka përfunduar testimet e organizuara nga UEFA në fushën e kujdesit mjekësor ndaj futbollistëve.
Berisha flet për testet antidoping që janë bërë tek futbollistët kosovarë në dy ndeshjen me Ishujt Faraoe dhe në lojën e fundit Bullgarinë nga ku Kombëtarja nxori barazim. “Në dy ndeshjet e fundit kemi pas kontrolla të antidopingut nga UEFA, janë marr 4 mostra të 4 lojtarëve”, ka thënë Berisha. Ai tregon se për analiza të dopingut merret një dozë e urinës, ndërsa përzgjedhja e lojëtarëve bëhet gjatë kohës sa zhvillohet loja.
“Shorti hedhet në minutën e 75-të të ndeshjes në praninë e dy mjekëve të kombëtareve që luajnë, hidhet shorti për dy lojtarë në fushë dhe për dy në bankën rezervë”.
“Në lojën me Ishujt Faraoe janë testuar Elbasan Rashani dhe Denis Avdija nga shorti. Kurse në lojën me Bullgarinë shorti i ka rënë Arianit Muriqit dhe Vedat Muriqit. Të dy janë testuar dhe priten rezultatet”, ka treguar Berisha.
Ai ka thënë se si mjek i Kombëtare gjithmonë i teston futbollistët, por thotë se ata asnjëherë nuk kanë dal pozitiv në substanca të ndaluara.
Berisha ka theksuar se rastet më të rënda të lëndimeve kanë qenë frakturat në rastin e Fanol Përdedaj dhe Herolind Shala.
Kirurgu tregon se qëndron 24 orë në dispozicion të futbollistëve sa herë që ata kanë lojë. Ai e quan përgjegjësi dhe nder punën që e bën me djemtë e Kombëtares. Ndërkaq sa i përket profesionit të tij, Berisha ka treguar se punon me standarde dhe pajisje evropiane.
“UEFA deri më tani i ka dhënë rëndësi urgjencave në fushën e futbollit sesi të veprohet të shpëtohet jeta e sportistit në fushë. Janë disa procedura që duhet t’iu përmbahemi dhe vazhdimisht i kemi përsëritë me të gjithë mjekët e Evropës. Edhe jashtë, edhe në Kosovë jemi të gatshëm të reagojmë çfarëdo që ndodhë në fushë falë mjeteve që i ka siguruar FFK-ja të cilat janë të njëjtat me çfarë i kanë psh Anglia apo ndonjë vend tjetër”, thotë ai.
Berisha ka bërë të ditur se vendimet për pushim nga loja të futbollistëve për shkak të lëndimeve i merr Përzgjedhësi Bernard Challandes. “Ne nuk marrim vendime por kemi marrëveshjen me përzgjedhësin. Ne i raportojmë atij dhe ai vendos nëse do hyjë në fushë një lojtar apo jo”, ka treguar ai. Krejt në fund Berisha shpreson që “pacientët” e tij të kualifikohen në Kampionatin Evropian të futbollit.