(Promovimi si shkas ose mbresa leximi të vëllimit poetik ‘Sentimente dhe dhembje’ të autores, Shpresa Purde Memedi, botuar ditëve të fundit)
Nga Emin AZEMI
Paraqitjet letrare të autorëve zakonisht sjellin me vete edhe pyetjet që ndërlidhen me formimin e tyre krijues. Pretendimi për të njohur një autor vetëm përmes një vepre, është i pamundur, prandaj studiuesit zakonisht përcaktohen që njohjen me autorin ta bëjnë përmes veprave të caktuara.
Kësaj radhe edhe ne do të dilnim të pasuksesshëm sikur të pretendonim në njohjen totale të autores Shpresa Purde Memedi, për arsye se opusi i saj është më i gjerë, por edhe botvështrimi del të jetë më heterogjen, si në pikëpamje të vokacionit krijues, por edhe në pikëpamje të pasurisë zhanrore që ajo e kultivon tash e sa vite.
Tash së fundmi ajo është paraqitur me vëllimin poetik ‘Sentimente dhe dhembje’, titull ky që të udhëzon në vetë kontrastin që formon sintagmën me kuptime polivanlente gjuhësore e figurative.
Ky libër është i ndarë në dy cikle apo kapituj ‘Poezi sentimentesh’ dhe ‘Poezi dhembjesh’ dhe ky organizim I brendshëm I vëllimit poetik na sugjeron të udhëtojmë më lehtë në botën komplekse, por mjaft dinamike të subjektit lirik, i cili herë identifikohet me vetë autoren, herë gjen një alter ego për të shprehur gjendje të ndryshme shpirtërore, por edhe kontekste të caktuara sociale e emocionale. Sidomos te cikli i dytë kemi një shpërthim të gjendjes emocionale në kufijtë e dhembjes, por ajo që bie në sy te kjo formë e tematizimit të ngjarjeve, figurave e personazheve është prirja e autores për të mbajtur të ndezur pasionin e njeriut që bashkë me vuajtjen e bën më të afërt të panjohurën e shpirtit njerëzor.
Sentimentet dhe dhembjet në këtë vëllim poetik e kanë shtratin e tyre të ngjizjes dhe formimit, kurse autorja përmes realiteteve figurative që i ndërton në formë të verbit poetik dëshmon se poezia megjithatë duhet lindur nga të jetuarit me temat që ajo I trajton. Për rrjedhojë del që kjo është një poezi e jetuar dhe përjetuar. Shkrirja e kohës dhe hapësirës në një sentiment të vetëm arrihet vetëm duke qenë në kontakt me botën shpirtërore që na imponon autorja, ndonëse ky konfigurim i brendshëm shpirtëror del me ngjyrime të forta emocionale, teksa del që ‘të vetmuar jemi, nën kthetrat e alegorisë’, ose ‘mbas tryezës zemra shandan ngrirë/ Gjithnjë qëndron bosh!’. (Gotë boshe)
Materia e boshësisë shpirtërore në poezinë e Shpresës merr trajtat e dilemave e hezitimeve që ka subjekti lirik i cili ‘mbështjellë rri,/ në kristale me gurë të çmuar. /Kjo gotë bosh në duar./Frymë e mekur në trup/Të huaj! (Gotë boshe)
Autorja udhëton në kohën e saj të kërkimit, që vetëm me poezi mund ta gejë atë që i mungon shpirtit të trazuar. Prandaj mund të thuhet se kjo është poezi në shërbim të kontemplimit shpirtëror dhe për rrjedhojë poezia na paraqitet si kompensim i materialitetit dhe prozaizmit jetësor.
‘Dita lind,
Pa mos perënduar, VARROSET
Ndër krahët e zeza të një femre
Si një lëndim në përpëlitje
Si njël helm që s’do përkulje
Në duar, pelin, përplot mbushur!’ (Ndër krahët e zeza)
Është pra ky një realitet në formë të pëlhurës së dendur që fshihet pas trilleve të jetës së mbushur plot me pasione, por që del zbuluar nga ‘kirurgjia’ poetike e autores.
‘Nën këtë dimër,/ nën këtë acar/Vello kadife mëndafsh i paparë/ Dallgë shumë!Kuq!Nën këta damarë/Dëbora kurorë në këtë imagjinar!/ (Puthja e djallit)
Formati krijues i Shpresa Purde Memedit do të dilte i mangët sikur të mos vërenim se në verbin e saj poetik mplekset një figurshmëri e pasur gjuhësore që sendërtohet së brendshmi përmes arkitekturës lirike. Ajo në këtë vepër vjen me përvojën e një mjeshtreje që ka zotëron prirjen për të krijuar figura që shpupurisin ‘hirin’ e një zjarri gjysmë të shuar, si dhe figura që paralajmërojnë dallgët e larta të timbrit emocional. Kjo prirje e autores vjen duke e shoqëruar pasurinë tematike me gjetjen e pikës kulmore të dramacitetit shpirtëror përmes sintagmave poetike ‘ndjenja pa mëngë’, ‘xhamëzohet shpirti’, ‘dëfrim i pathurur’ , ‘dantellë mashtrimi’ etj.
Pezia shqipe po pasurohet edhe me një individualitet krijues që ecjen dhe zhvillimin po e bën me këmbë të sigurta, kurse vëllimi që kemi në duar ‘Sentimente dhe dhembje’ vërteton këtë konstatim, duke i garantuar Shpresa Purde Memedit ardhmëri letrare. (koha.mk)