Ndonëse, ngjarja ka ndodhur dikur moti, moti… në një kontekst hepten ndryshe, ja se, më kujtohet si sot! Ishte një ditë Maji, dhe isha një cull malësorë… filmi që e pashë në kinema me aktorin Kirk Douglas, ma zgjeroi botën, m’i zgjeroi pikëpamjet, botëkuptimin… dhe shkaktoi ndryshime të thella në qenien time
Nga Shaqir ISLAMI
Ja, kësaj i thonë, haber i zi! Kur vjen… kurrë nuk troket në derë. Me sabah dhe me Bismilah, sa u kyça në botën virtuale, haberi i zi më kishte mbërritur në postën time se, paskësh ndërruar jetë Kirk Douglas; legjenda e industrisë së argëtimit! Ndërsa, hënëz para do muaj lexova dhe e pashë se, e kishte festuar 103’tën ditëlindje me radhë me nipër e stërmbesa dhe me nusen e famshme Catherine Zeta-Jones. Kirku qe plak me fat; meqë, të jetosh pranë Catherine Zeta-Jones dhe të vdesësh, është magarllëk i kot.
Ne, shqiptarët, jetëgjatësinë e kemi të thadruar e të gdhendur thellë në vlerat, besimet, në traditën tonë dhe doemos, mbase, detyrohem ta cek – edhe në frymën fisnore; euhee thellë-thellë në lashtësi. Ndoshta, (ja fus unë kot katundarçe) – jemi të vetmit në këtë rruzull tokësorë që në komunikimin e përditshëm, mes nesh dhe me të huajt e përdorim përshëndetjen: TUNGJATËJETA. Me kaq sa di un – me gjithë vogëlsinë time – nuk kam dëgjuar se ka, ky njerëzim, një përshëndetje tjetër më domethënëse dhe më origjinale se TUNGJATËJETA. Pra, jetëgjatësia është kod i rrënjosur thellë në kulturën tonë. T’i dëshirosh vetes dhe tjetrit një jetë të gjatë, është veti përulësie fisnike; dhe se është bujari e kulluar! Njeriu qysh se ekziston përpiqet ta zgjasë jetën dhe t’i bëjë bisht vdekjes. Legjenda e Hollywood’it Kirk Douglas – një amerikan i shpërngulur si një familje minatorësh nga Polonia – i bëri bisht vdekjes më shumë se një shekull; por, ja siç e pamë, nuk shpëtoi dot prej saj! Dikë më herët, e dikë e merr më vonë, siç e njeh njerëzimi; fund-i-fundit prej saj, akoma nuk ka shpëtuar njeri!
E di pse, lajmin e vdekjes së këtij qindvjeçari e kusur e pranova sikur të më ishte anëtarë i farefisit të ‘Lushëvet’. Prandaj, me këtë copë shkrim i bëj publike ngushëllimet e mia për fisin Douglas dhe mbarë botës së filmit.
E, tani t’ju flas një çik për hallën e ‘plakut’ tim Shahsinen hovardare nga Stambolli. Edhe ajo si Kirk Douglas është shpërngulur që këtej, por, jo me qefin e vet, as për idare, por, për shkaqe politike. Halla Shahsine është flijuar nga politikat e pastrimit etnik të këtyre trojeve .
Halla Shahsine, me gjithë familjen, është dëbuar nga vendlindja, kundër dëshirës së tyre. Ky është dallimi mes Kirk Douglas dhe hallës Shahsine. Drejtimi i vetëm ka qenë Stambolli. Në vitet e pesëdhjeta të shekullit njëzetë, mijëra familje kanë pësuar fatin e hallës sonë hovardare; të gjithë kanë ikur me nga një biletë të premë vetëm për një drejtim. Bileta ka qenë prerë si hajmali ogurzi, vetëm për të ikur dhe kurrsesi për t’u kthyer prapë. Dhe çdo familje e dëbuar me dhunë, është detyruar ta nënshkruaj dokumentin famëkeq VESIKA dhe çdo familje ka qenë e detyruar të lerë një dokument, gjoja se shpërngulja ka qenë vullnetare dhe me shumë dëshirë! Kjo dyndje biblike e popullsisë sonë është bërë me një sipërmarrje të hatashme, të gërshetimit të dhunës fizike dhe psikologjike nga disa shtresa komuniste-shtetërore në bashkëpunim me agjentët dhe spiunët shqiptarë si aktorë kryesorë ndihmës.
Disa dhjetëvjetësha më vonë, halla Shahsine kthehej në vendlindje për t’u çmall me natyrën e Sharrit dhe të Pollogut dhe me farefisin e vet çobanësh të regjur. Atëkohë udhëtohej përmes Selanikut dhe vetëm me tren. ‘Plaku’ im na gëzoi me haberin e ardhjes së ‘hallës Shahsine nga Stambolli’, me premtimin se do na merrte me tim vëlla për ta pritur në stacionin e trenit në qytet. Ajo natë është e gjallë akoma në kujtesën time; dorën në zemër, e prita agimin pa i mbyllur sytë fare!
Kur e do fati, e do; atëherë vonohet treni, anija… ndalet ose zgjatet koha! Dhe siç ndodh gjithmonë, kur e do fati… përmes autoparlantit të stacionit një zë gruaje njoftoi se, treni që vjen nga Selaniku… do të vonohet më shumë se tre orë e tre çerek. Kjo vonesë ishte shkaktare që ‘plaku im’ të kujtohet se ku duhej ta kalonim kohën e pritjes. Befas e përmendi kinemanë, dhe na nxori dy bileta… akoma e ndiej erën e asaj cope letre, të cilën e shtrëngoja në dorë si një hajmali të shenjtë! Unë dhe vëllai shkuam për herë të parë në kinema!!! Një ndër ndodhitë më të rëndësishme në jetën time.
Çka me ju tregu, kinemaja dallonte nga televizori bardh-e-zi si nata me ditën! Ekrani si fushë futbolli, zëri deri në qiell…! Ndjenjat e mia të atëhershme, sot, duhet të jenë të barasvlershme me ekranet 3D. Dhe unë e pashë një film me aktorin e famshëm Kirk Douglas, emrin e filmit nuk e mbaj mend dot. Prandaj ky aktor dhe halla Shahsine nga Stambolli, janë akoma të gjallë në kujtesën time; dhe s’ka ngjarje që mund t’i fshijë derisa të marr frymë.
Ndonëse, ngjarja ka ndodhur dikur moti, moti… në një kontekst hepten ndryshe, ja se, më kujtohet si sot! Ishte një ditë Maji, dhe isha një cull malësorë… filmi që e pashë në kinema me aktorin Kirk Douglas, ma zgjeroi botën, m’i zgjeroi pikëpamjet, botëkuptimin… dhe shkaktoi ndryshime të thella në qenien time. Qysh prej asaj dite, nuk isha më një cull-malësorë si të tjerët.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)