Laura PAPRANIKU
Shkup, 15 shtator – Në vigjilje të fillimit të vitit akademik 2017/2018, shqiptarët e Maqedonisë si asnjëherë më parë kanë në dispozicion disa qindra programe studimore të shpërndara në disa universitete, ku studimet zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, edhe atë në dy publike: Universitetin e Tetovës (UT) dhe Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe njëri privat: Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, paralelisht kësaj po shënojnë debakël sa i përket numrit të studentëve të regjistruar. Të rinjtë shqiptarë, gjithë e më tepër i drejtohen Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, i cili edhe pse ka të limituara programet në gjuhën shqipe, vetëm në Fakultetin Pedagogjik dhe Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, po i sfidon UT-në, UEJL-në dhe UNT-në edhe në programet studimore të shkencave mjekësore, sociale, ekonomike, matematike-natyrore e kështu me radhë.
Faza e patriotizmit duket se ka përfunduar dhe tani jemi në fazën kur shqiptarët kërkojnë cilësi. Braktisja e universiteteve shqiptare dhe në të njëjtën kohë orientimi i të rinjve shqiptarë drejt studimeve në gjuhën maqedonase, kryesisht në UKM, duhet të shërbejë si kambanë alarmi për universitete shqiptare, të cilat duhet të ndërmarrin masa urgjente për rritjen e cilësisë. Sepse, “tani të rinjtë shqiptarë duan të jenë të sigurt se në fund të katër viteve do të pajisen me një diplomë cilësore, e cila vlerësime nga të gjithë”, shprehet prof. dr. Avzi Mustafa, ndërsa vëren se edhe në UKM nuk janë ata kritere diplomimi si më parë.
“Edhe pse në UKM kanë rënë kriteret dhe nuk është ajo cilësi si deri para 15-20 vite, përsëri ky Universitet ka ditur të kursehet nga improvizimet e tepruara, aferat e shitjes së diplomave, angazhimi i profesorëve që nuk plotësojnë asnjë kriter akademik, e kështu me radhë”, shpjegon për KOHA, Mustafa. Pra, sipas tij, deri diku janë ruajtur disa standarde të cilat e bëjnë UKM-në universitetin më cilësor në Maqedoni dhe për pasojë edhe më të kërkuarin nga ata që mendojnë se “ia vlen të sakrifikohet pak, pra të studiohet në gjuhë të huaj, për të synuar një diplomë të cilën e vlerësojnë të gjithë”.
Sakaq, numri i kësaj kategorie të studentëve është i konsiderueshëm dhe aspak i shpërfillshëm. “Ky numër se vjen dhe ritet, nga viti në vit. “Duke kuptuar se shoqërisë nuk i duhen diploma boshe por vlera cilësore, nga një numër fare i vogël i studentëve shqiptarë në UKM që në përqindje ishte 4 – 8 për qind, tani gjatë katër-pesë vitet e fundit ky numër është dukshëm më i madh dhe shkon diku rreth 17 ose 18 për qind. Kjo është përqindja e studentëve shqiptarë që përcaktohen të studiojnë në UKM, sepse kërkojnë të mësojnë diçka”, pohon Mustafa.
Në mesin e shumë maturantëve që sivjet ia mësynë UKM- së është edhe Majlinda Çilafi, ish-kryetarja e Unionit të Nxënësve Shqiptarë të Maqedonisë (UNSHM). Të hënë, më 18 shtator kur edhe starton viti akademik 2017/2018, Çilafi bashkë me dhjetëra të tjerë do të kenë ditën e parë si studentë të rregullt të Fakultetit të Ekonomisë në Shkup. “Jemi të vetëdijshëm se do ta kemi pak më të vështirësi, për shkak të gjuhës maqedonase, mirëpo u regjistrova në UKM, pasi mendoj se ofrohen studime më cilësore”, pohon Çilafi, ish kryetarja e UNSHM. Jo vetëm në këtë fakultet, por edhe në shumë të fakultete tjera të UKM-së ka studentë shqiptarë, të cilët gjykojnë në mënyrën e njëjtë dhe kjo është gjedhja e lirë e çdo njërit prej tyre. Mirëpo, nëse deri para një viti, për regjistrimin e shqiptarëve në UKM, mund t’i kërkonim arsyet të largësia që mund të kishin shqiptarët e kryeqytetit me Tetovën, tanimë është rrëzuar edhe kjo alibi, si për UT-në ashtu edhe për UNT-në. Shqiptarët kanë në Shkup Universitetin “Nënë Tereza”, ku gjithashtu ka programe të ekonomisë, si dhe shumë profile tjera. Por, numri i studentëve që u8 regjistruan këtu është tejet i vogël.. Në dy afatet e rregullat të regjistrimit për 1580 vendet e përcaktuara me Konkurs, UNT ka regjistruar vetëm 375 studentë. Në Universitetin e Tetovës gjithashtu është larg numri i studentëve të regjistruar nga numri i planifikuar me Konkurs. Konkretisht për 3870 vendet ofruara me Konkurs UT në dy afatet e rregullta regjistroi 1397 studentë. Edhe Universiteti i Evropës Juglindore, ka regjistruar më pak se gjysmën e studentëve të planifikua, konkretisht 405 nga 970 vende të planifikuara me Konkurs.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.