Strasburg, 11 dhjetor – Eurokomisari për Siguri, Xhulian King, mbrëmë i brifoi eurodeputetët për gjendjen e sigurisë dhe bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia noton si vend i rëndësishëm i origjinës, transitit dhe destinacion për armë zjarri ilegale, tha komisari.
“Gjendja e sigurisë në rajon është sfidë, por ka edhe ndikim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë tonë në BE. Më mirë është të eksportohet siguri se sa të importohet jostabilitet”, tha komisari gjatë fjalimi të tij duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit të përforcuar me vendet e rajonit në pjesën e sigurisë.
Sfidat kryesore të sigurisë për vendet e Ballkanit Perëndimor janë rrjetet e krimit të organizuar, të cilat janë gjithashtu të pranishme në BE, trafikimin me armë, xhihadizmin, por edhe sulmet kibernetike dhe dezinformatat dhe propagandat strategjike, më shpesh me origjinë ruse ose të sponsorizuar nga Rusia.
Maqedonia u përmend në mënyrë eksplicite nga komisari i BE-së si vend i origjinës, transitit dhe destinacion për armë zjarri, megjithëse problemi është i pranishëm në pothuajse të gjitha vendet e rajonit si pasojë e luftërave të viteve të nëntëdhjeta, veçanërisht Bosnja e Hercegovina, e cila ka shkallën më të lartë të armëve të zjarrit për banorë.
Rrjetet e krimit të organizuar janë të pranishëm në rajon, por sidomos në Shqipëri dhe në bashkësitë shqiptare, tha King, duke shtuar se “grupet kriminale shqiptare” janë përfshirë në krime të ndryshme në shtetet anëtare të BE-së, siç janë plaçkitjet, sulme ndaj pronave apo sulme ndaj bankomatëve. Shqipëria gjithashtu është një destinacion për automjete të vjedhura nga BE-ja, si dhe një vend trafikimi me drogë në BE, ka thënë King.
Mali i Zi, megjithatë, është “pika kryesore e hyrjes” për kokainën me origjinë në Amerikën e Jugut, që vjen me anije dhe destinohet për vendet e BE-së. Ndërsa në Serbi prodhohen më shumë droga sintetike.
Rajoni po përballet me një sfidë serioze me kthimin e luftëtarëve të huaj nga fushat e betejës në Irak dhe Siri, radikalizmin e dhunshëm dhe ndikimin ideologjik të vehabizmit dhe selefizmit. Komisioni Evropian vlerëson se rreth 1,000 luftëtarë nga vendet e rajonit kanë shkuar ose janë në Irak apo në Siri dhe 35 për qind e tyre janë kthyer në vendet e tyre dhe “paraqesin rrezik”, si në BE.
Ndikim tjetër shqetësues është ai nga Rusia, posaçërisht në pjesën e sulmeve kibernetike, propagandat dhe dezinformimet.
Një nga masat për të parandaluar dezinformimet e Rusisë, përveç mbështetjes së rritjes të kapaciteteve teknologjike dhe aftësimin kibernetike të vendeve, është edhe krijimi i një njësie speciale për Ballkanin Perëndimor në “Stratcom”, njësi për të luftuar lajmet e rreme të institucioneve evropiane.
King theksoi se gjatë viteve të fundit bashkëpunimi mes BE-së dhe rajonit në luftën kundër terrorizimit dhe kërcënimeve kibernetike është përforcuar.