Zhang Zhenxiao i ka 27 vjet. Ai nuk ka qenë kurrë në lidhje. Tani ai thotë se është i gatshëm për dashuri, por si shumë burra të tjerë në Kinë, ai nuk e di se si t’ia fillojë. Prandaj Zhang ka vendosur që të shkojë në kurs. Shkolla për “Vetëdijesimin emocional të rënies në dashuri” e ka mësuar atë se si të kujdeset për veten, si t’i qaset një gruaje dhe t’i lërë asaj përshtypje. “Ka shumë njerëz të cilëve u mungon aftësia për të pasur lidhje”, thotë Zhang, që në tetor ishte regjistruar në kursin treditësh, shkruan “The New York Times”, transmeton Koha Ditore. “Shumë herë nuk është se diçka nuk është në rregull me ne. Thjesht, ne nuk i dimë detajet, të cilave duhet t’ua vëmë veshin”. Derisa takimet e dashurisë janë të komplikuara kudo në botë, shumë më keq është për burrat kinezë në kërkim të një gruaje. Kina vetëm tani i ka dhënë fund politikës së një fëmije për familje, derisa një politikë e tillë në shtetin me preferencë të theksuar kulturore për djemtë kishte nxitur shumë çifte që të abortonin fetuset vajza. Më 2016 kishte rreth 33.6 milionë djem më shumë se vajza në Kinë, sipas Qeverisë.