Federata Kineze e Futbollit (CFA) duke filluar nga viti i ardhshëm ka kufizuar pagat e futbollistëve të huaj në tre milionë euro. Sipas agjencisë zyrtare kineze të lajmeve, Hsinhua pas një mbledhje me klubet e Superligës Kineze, CFA njoftoi se do të ulen pagat për sezonin 2020, bën të ditur ATSH, transmeton gazeta KOHA.
Duke u nisur nga politika e re e miratuar nga CFA, pagat vjetore të futbollistëve vendas nuk do të mund të tejkalojnë shifrën 10 milionë yuan (rreth 1,45 milionë dollarë) përfshirë edhe taksat, ndërsa të futbollistëve të huaj nuk do të tejkalojnë 3 milionë euro, me përjashtim të taksave.
Gjithashtu edhe shpenzimet e klubeve lokale janë kufizuar me 1,1 miliard yuan (rreth 160 milionë dollarë), si dhe shpenzimet e pagave nuk do të tejkalojnë 60 % të shpenzimeve totale. Ndërkohë, në Superligën Kineze në fushë lejoheshin tre lojtarë të huaj, ndërkaq në sezonin e re ky numër është rritur në katër.
Kryetari i CFA-së, Chen Xuyuan, ka theksuar se klubet kineze kanë harxhuar shumë para, por se futbolli profesionist nuk ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme. Ai paralajmëroi se nëse nuk veprojnë në kohë mund të ketë rezultate shkatërruese. (koha.mk)