Kina thirrje OKB-së për zgjidhje konstruktive për Arakanin

Ministria e Jashtme e Kinës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për mbështetje të përpjekjeve për gjetje të një zgjidhjeje konstruktive për çështjen e Arakanit. Në konferencën e jashtëzakonshme për media, zëdhënësja e ministrisë, Hua Çunjing, lidhur me moslejimin e qeverisë së Mianmarit për hetimin që Raportuesja Speciale e OKB-së për Mjanmarin, Yanghee Lee, do të realizojë lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj muslimanëve të Arakanit, tha: “Presim nga bashkësia ndërkombëtare që në vend se të komplikojnë gjendjen edhe më tepër, të japin mbështetje që nëpërmjet dialogut mes Bangladeshit dhe Mianmarit të arrihet deri te një zgjidhje konstruktive për çështjen”.

Hua, e cila deklaroi se vendi i saj është në favor të dialogut konstruktiv i cili do jetë në korniza të respektit dhe barazisë, pohoi se rrugëzgjidhja e vetme është dialogu i përbashkët mes dy vendeve. Duke vënë në pah se historia, feja dhe përkatësia etnike e Arakanit janë çështje të brendshme të Mianmarit, Hu theksoi se si shtet fqinj, shpresojnë që Mianmari do ketë stabilitet politik, harmoni kombëtare dhe ngritje ekonomike.

Raportuesja Speciale e OKB-së për Mianmarin, Lee, në një njoftim me shkrim tha se muajin e ardhshëm do të vizitojë Mianmarin për të hetuar shkeljet e të drejtave njerëzore ndaj muslimanëve të Arakanit, por shtoi se qeveria e Mianmarit ka anuluar të gjitha lejet për qasje. Nga 25 gushti, mijëra muslimanë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila është arsyetuar se po lufton militantët e armatosur. Organizata “Mjekët pa kufij” (MSF) ka njoftuar se mendohet që nga 25 gushti janë vrarë 6.700 muslimanë. Ndërkaq, mijëra muslimanë të Arakanit, për të siguruar jetët e tyre, përpiqen të largohen nga rajoni. Mbi 600 mijë civilë kanë kaluar nga Mianmari në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare dhe lumenjve. Ndryshe, mendohet se në vitet e 1970 në Arakan jetonin afro dy milionë muslimanë, por se numri është zvogëluar në 350 mijë si pasojë e ikjeve sistematike nga vendi.