Klubet kineze kanë shpenzuar më shumë se 450 milionë dollarë (rreth 420 M EUR) për të marrë lojtarë të huaj gjatë vitit 2016 dhe Kina tashme figuron në “Top 5” e vendeve më të angazhuara për transfertat, sipas një raporti të FIFA-s publikuar të premten. Kjo është një shifër impresionuese për Kinën, që zinte vetëm vendin e 20-të në klasifikimin e vitit 2013. Shifra prej 450 milionë dollarë për transfertat është 2,5 herë më e madhe se shifra e 2015. Në vendin e pestë, klubet kineze ndjekin kampionatet më të rëndësishme evropiane. Më shumë kanë shpenzuar klubet angleze, që kryesojnë me 1,37 miliardë dollarë (+8,7% nga viti paraardhës). Në vazhdim janë Gjermania (576,4 M USD, +55,9%), Spanja (508,7 M USD, -15,6%) dhe Italia (508,5 M USD, -5,5%). Klubet franceze janë në vendin e gjashtë për transfertat me 207,7 milionë dollarë (-34,5%) ne 2016. Kina ka realizuar transferta rekord, siç është ajo e mesfushorit brazilian Oskar (Çelsi), i cili ka nënshkruar me “Shanghai SIPG” për 60 milionë euro. Në total, më shumë se 14.000 transferta janë realizuar gjatë 2016, saktëson FIFA, në një shumë globale prej 4,79 miliardë dollarë (+14,3%).