Pekin, 1 qershor – Kina është zotuar të hakmerret ndaj SHBA-së pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Tramp se do të kufizojë hyrjen e shtetasve kinezë në SHBA dhe do të vendosë sanksione tregtare ndaj Hong Kongut.
“Të gjitha fjalët dhe veprimet që janë të dëmshme për interesat e Kinës do të përballen me kundërsulm të fuqishëm”, theksoi në konferencë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian.
Ai theksoi se Kina kërkon nga SHBA që të korrigjojnë gabimet e saj menjëherë dhe të “braktisin mentalitetin e Luftës së Ftohtë”.
Ky është reagimi i parë i Pekinit që kur Tramp njoftoi masat të premten. Deklarata erdhi në momentin kur ekzistojnë tensione në mes Kinës dhe SHBA-s për Kovid-19, gjendja me ujgurët mysliman në pjesën veriperëndimore të Kinës dhe tregtia bilaterale.
Tramp ka njoftuar se SHBA do të pezullojnë hyrjen në vend për shtetasit kinezë, të cilët paraqesin “kërcënim” të mundshëm për sigurinë e vendit.
Gjithashtu, ai i bëri thirrje administratës së tij të hiqte përfitimet tregtare për Hong Kongun në përgjigje të ligjit të diskutueshëm të sigurisë kombëtare të Pekinit në territorin e tij autonom. Presidenti amerikan ka kërkuar nga bashkëpunëtorët e tij që të hetojnë kompanitë kineze të listuara në bursat amerikane.