Kina me numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë

Kina ka regjistruar numrin më të lartë ditor të rasteve me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, pavarësisht masave të rrepta për ta frenuar një rritje të tillë, shkruan BBC. Një rritje e konsiderueshme e numrit të infeksioneve të reja u regjistrua në disa qytete të mëdha, duke përfshirë kryeqytetin Pekin dhe qendrën jugore Guangzhou. Dje, vendi regjistroi 31.527 raste – 28 mijë ishte numri më i lartë i regjistruar në prill, kur Shanghai u mbyll. Politika e Kinës kundër koronavirusit ka shpëtuar jetë në një vend me 1.4 miliardë banorë, por gjithashtu i ka dhënë një goditje ekonomisë dhe jetës së njerëzve të zakonshëm.

Sidoqoftë, vala në rritje e rasteve vjen disa javë pasi vendi lehtësoi disa nga kufizimet. Zyrtarët kinezë tashmë kanë vendosur kufizime në disa rrethe, me dyqane, shkolla dhe restorante të mbyllura. Kina është ekonomia e fundit e madhe që është në proces për ta “zhdukur” COVID-19 me testime masive dhe rregulla izolimi. Megjithatë, raste të virusit tani raportohen në 31 provinca. Presidenti Xi Jinping ka thënë se nevojiten masa të rrepta për të mbrojtur popullsinë e moshuar të vendit. Megjithatë, nivelet e vaksinimit janë më të ulëta se në vendet e tjera të zhvilluara dhe vetëm gjysma e njerëzve mbi moshën 80 vjeç kanë marrë një vaksinë.