Kina kundër fenomenit “mukbang”

20

Në Kinë, mbikëqyrësi i korrupsionit u drejton thirrje platformave të shpërndarjes së videove në internet për të ndërmarrë veprime kundër shfaqjeve “mukbang”, të cilat janë video ku njerëzit dalin duke ngrënë sasi të caktuara ushqimi dhe njëkohësisht, bashkëveprojnë me audiencën. Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se videot “mukbang” e kanë fillesën në Korenë e Jugut dhe janë përherë e më të popullarizuara në Kinë, prandaj dhe mbikëqyrësi ka dhënë alarmin për të ndalur shpërdorimin e ushqimit. Këto video janë përballur me kritika të ashpra nga media shtetërore dhe nga rregullatorët që kur presidenti, Xi Jinping, nisi një fushatë gjatë vitit të kaluar për të frenuar harxhimin e ushqimit.

Komisioni Qendror për Inspektimin e Disiplinës (CCDI) ka deklaruar se platformat e shpërndarjes së videove në internet duhet të forcojnë mbikëqyrjen e tyre duke ndaluar transmetimet e papërshtatshme dhe të ndërmarrin bllokimin e llogarive të shkelësve të ligjit.

Përmes një artikulli të publikuar në faqen e vetë, komisioni është shprehur në mbështetje edhe të ashpërsimit të dënimeve për njerëzit që ngarkojnë nëpër platforma përmbajtje të tilla. Ai ka vënë në dukje edhe popullarizimin e shpejtë të videove ku njerëzit pinë alkool, krahas atyre të ngrënies së ushqimit. “Sjellje të tilla të ‘videove të pirjes së shumtë të alkoolit’, jo vetëm që dëmton shëndetin fizik të atyre që i shfaqin dhe shkakton shpërdorim të ushqimit, promovon gjithashtu një mentalitet të shëmtuar dhe dëmton seriozisht ekologjinë e industrisë së shëndetshme”, ka thënë komisioni.