Doganat e Kinës kanë sekuestruar më shumë se një ton të dhëmbëve të mamuthit, një kafshe që është zhdukur para më shumë se 10 mijë vitesh. BBC shkruan se masa e madhe e dhëmbëve gjigantë ishte trafikuar nga Rusia në Kinë, ku edhe ishte sekuestruar gjatë muajit shkurt. Pjesa më e gjatë nga të gjitha arrinte në 1.6 metra. Megjithëse me ligjet ndërkombëtare tregtia me këtë ‘mall’ nuk është e ndaluar, zyrtarët kinezë thanë se masa nuk ishte e lajmëruar, prandaj konfiskimi ishte i nevojshëm. Hulumtuesit thonë se ngrohja globale e ka bërë shumë më të lehtë tregtinë me dhëmbët e mamuthëve, pasi akulli në të cilin ato ishin ruajtur për shekuj me radhë po shkrihet, duke nxjerrë ato në sipërfaqe.