Berlin, 11 shtator – Kina sot edhe zyrtarisht e ka ftuar ambasadorin gjerman në Pekin dhe është kërcënuar me pasoja negative për marrëdhëniet bilaterale, pasi ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Hajko Maas është takuar me liderin e protestuesve në Hong Kong, Xhoshua Vong.
Ambasadori kinez në Berlin, Vu Ken ka thënë se Pekini e ka “shprehur pakënaqësinë e saj të thellë” nga “incidenti”, duke iu referuar takimit midis Maasit dhe Vongut.
Ministria e jashtme gjermane ka konfirmuar se ambasadori gjerman është ftuar në takim në Ministrinë e jashtme kineze.
Vu ka thënë se Qeveria kineze në disa raste ka kërkuar që Vongut t’i ndalohet hyrja në Gjermani. Ai ka thënë se takimi do të ketë pasoja negative për marrëdhëniet bilaterale mes Kinës dhe Gjermanisë.
“Dua të them se Hong Kongu i takon Kinës dhe se punët që po ndodhin në Hong Kong janë mjet i politikës vendore të Kinës”, ka thënë Vu.
Xhoshua Vong, lider i Lëvizjes prodemokrate në Hong Kong, sot në qeverinë gjermane në Berlin publikisht e ka dënuar dhunën policore dhe keqpërdorimet e detyrës zyrtare gjatë demonstratave disamujore në këtë qytet gjysmë-autonom kinez, njofton DPA.
Në pres konferencën në Berlin, Vong ka deklaruar se Gjermania duhet të ndalojë t’i eksportojë pajisje policore qeverisë së Hong Kongut derisa zgjasin protestat dhe derisa ajo pajisje përdoret kundër demonstrantëve.
“Aksionet flasin më zëshëm se fjalët”, ka thënë Vong.
Vong është për vizitë në Berlin me ftesë të gazetës “Bild”. Ai ka arritur në kryeqytetin gjerman të hënën mbrëma dhe mes tjerash ka biseduar edhe me Maasin në ngjarje që gazeta e ka organizuar në restorantin në çatinë e Parlamentit gjerman.
“Hong Kongu është Berlini i ri në Luftën e re të Ftohtë”, ka thënë Vong në takimin e sotëm me gazetarët.