Ministria kineze e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes kanë akuzuar Uashingtonin për “provokim”, pas afrimit të luftanijes amerikane në Ishujt Nansha (Spratly) në Detin e Kinës Jugore gjatë ditës së djeshme. Geng Shuang, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, përmes një deklarate me shkrim ka thënë se destrojeri USS John S. McCain i flotës amerikane dje është afruar pranë gumës artificiale Mejxhi (Mischief) në Ishujt Nansha pa leje nga qeveria kineze.
Geng ka theksuar se forcat ushtarake e kanë paralajmëruar luftanijen që të largohet nga vendi, duke shtuar se e kanë kundërshtuar këtë akt që “dëmton në mënyrë serioze sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Kinës”. “Disa shtete jashtë rajonit po përpiqen ta prishin mjedisin pozitiv në rajon, gjoja në emër të lirisë së lundrimit”, është shprehur Geng, i cili ka thënë se në Samitin e Organizatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në kryeqytetin e Filipineve, Manila, janë hedhur hapa konstruktiv për uljen e tensioneve në Detin e Kinës Jugore. Sipas Genge, prania e luftanijes amerikane në rajon “tregon haptazi se kush përpiqet për rritjen e tensioneve në Detin e Kinës Jugore dhe cila palë po militarizon rajonin”. “Provokimet ushtarake të SHBA-ve në Detin e Kinës Jugore bën që Kina të ndërmarrë masa të cilat do ta rrisin edhe më tej kapacitetin e sigurisë kombëtare”, ka shtuar Geng. Nga ana tjetër, Vu Çien, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, i ka bërë thirrje Uashingtonit zyrtar t’i japë fund, siç e ka quajtur ai, shfaqjes së forcave në Detin e Kinës Jugore.
“SHBA-të duhet urgjentisht t’i japin fund akteve provokative në emër të lirisë së lundrimit në rajon dhe të përmirësojnë gabimin e tyre”, ka thënë ai. Reagimi i autoriteteve kineze vjen pasi pohimit se luftanija amerikane USS John S. McCain ka lundruar në afërsi të gumës artificiale Mischief. Incidenti në fjalë është afrimi i tretë i anijeve të flotës amerikane në ishujt artificialë kinezë gjatë mandatit të presidentit Donald Trump. Deti i Kinës Jugore thuhet të jetë një nga rutat më të rëndësishme detare në botë dhe e pasur me rezerva të hidrokarburit, ndërsa të drejta mbi të pretendojnë Kina, Filipinet, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani. Nga ana tjetër, pretendimet se Pekini ka militarizuar bazat që ka vendosur në ishujt artificial të ndërtuar në ujërat e kontestuar, bëhen shkak i tensioneve mes vendeve të rajonit dhe Kinës.