Kur kanë mbetur tetë skuadra në garë për të fituar trofeun, tashmë po kristalizohen edhe emrat që do të tentojnë deri në fund të fitojnë “Këpucën e Artë”. Për momentin, më i favorizuari duket të jetë sulmuesi i Anglisë, Harry Kin, autor i gjashtë golave në këtë Botëror. Jo vetëm pozicioni i tij në fushë, por mbi të gjitha forma individuale dhe ajo e skuadrës të bën të mendosh se në fund fituesi i këtij trofeu personal mund të jetë pikërisht sulmuesi i Totenhemit. Pasi eliminuan Kolumbinë, “Tre Luanët” kanë përpara Suedinë, një kundërshtare për t’u respektuar, por jo i pakalueshëm.
Ndryshe, në ndjekje të Kin janë dy futbollistë njëri prej të cilëve ka marrë rrugën e kthimit për në shtëpi. Kristiano Ronaldo dhe Romelu Lukaku janë stopuar në kuotën e katër realizimeve, por portugezi nuk mund të cenojë sulmuesin anglez, pasi luzitanët nuk e kaluan dot fazën e 1/8-ave. Derisa, Belgjika dhe Lukaku do të kenë një duel të vështirë përpara, pasi çerekfinalja u rezervon sfidën ndaj Brazilit.
Te “Seleçao” golashënuesit më të mirë janë Nejmar dhe Kutinjo me nga 2 realizime, një shifër shumë larg pritshmërive të fillimit të këtij turneu. Për të qëndruar tek emrat, që do të tentojnë t’i rrëmbejnë fronin Harry Kinit, në kuotën e tre golave janë disa futbollistë, rusët Çeryshev dhe Xhuba, francezi Kylian Mbappe dhe uruguaiani Edinson Kavani. Sytë janë pikërisht te sulmuesi i PSZH, pasi ka treguar një formë në rritje dhe pritet të jetë “ylli” i këtij Botërori.