Kimia dhe fizika, të frikshme për nxënësit

Laura PAPRANIKU

Shkup, 26 shkurt Prirja e nxënësve për të shmangur shkencat natyrore si zgjedhje për të studiuar në ndonjërën prej tyre, padyshim se ka një arsye. Kjo, sipas profesorëve lidhet me përvojën jo të mirë që kanë nxënësit në fazat e përparme të shkollimit. Në arsimin e mesëm dhe fillor mungojnë metodat e mësimit kreativ, vërejnë ato, shkruan gazeta KOHA. Prandaj, lëndët si fizika, kimia, matematika dhe të ngjashme shihen me frikë nga nxënësit, pasi paraprakisht është rrënjosur bindja se janë lëndë të vështira.

Por, në të vërtetë, sipas profesorit të Fizikës, Bashkim Ziberi, janë lëndë të cilat mund të mësohen dhe kuptohen shumë lehtë po që se mësimdhënësit e këtyre atyre lëndëve arrijnë të gjejnë format e duhura, pra nëse përdorin metoda atraktive dhe e bëjnë orën e mësimit interesante për nxënësit. Fatkeqësisht, nuk ndodh kështu në shkollat tona.

Kjo gjendje e cila mbizotëron në pjesën dërmuese të shkollave në instanca të fundit reflektohet në numrin e vogël të atyre që regjistrohen në Fakultetet e shkencave natyrore dhe teknike. Madje, në këto fakultete është edhe përqindja më e lartë e atyre që nuk i përfundojnë studimet e që rëndomë dorëzohen, menjëherë pas vitit të parë.

“Nëse mungojnë njohuritë elementare të një lënde të caktuar, është e pamundur që ato boshllëqe të rikuperohen rrugës ose gjatë viteve të studimit. Sepse në fakultet, studimi i lëndëve të caktuara është i avancuar dhe ashtu si në çdo shkencë tjetër, edhe në kimi, fizikë apo matematikë, nuk ka hapësirë dhe kohë për mësimin e gjërave elementare”, vërën Ziberi. Sipas tij, është shumë e kuptueshme që studentët duke matur forcat e veta, të gjykojnë vetë nëse mund t’ia dalin mbanë të studiojnë nëpër këto fakultete ose jo.

“Kur dikush është i vetëdijshëm për nivelin e dijeve që ka në një sferë e caktuar në rastet kur ato të njëjtë nuk mjaftojnë, sigurisht që është më mirë të regjistrohen në fakultete të tjera ku dijet e tyre përkojnë me nivele më të kënaqshme”. Këtë mendim ndan edhe profesori Neritan Turkeshi, i cili pohon se “është më mirë zgjedhja e një fakulteti ku ndjehemi të sigurt, sepse në ditën e sotme – nuk vlen një diplomë pa dije”.

Edhe nëse arrijmë ta fitojmë një diplomë, ajo nuk ka vlerën që duhet të ketë nëse jemi të paaftë të vemi në zbatim shkathtësitë për ët cilat jemi kualifikuar. “Në këtë drejtim tregu i punës nuk të fal. Atij i duhen njerëz të aftë për kualifiko të caktuara, ndërsa universitet duhet të orientojë kuadrot sipas nevojave të atij tregu”, shprehet Turkeshi. Për momentin, tregu i punës ka nevojë për kuadro të shkencave natyrore.

Prandaj të rinjtë duhet të përcaktohen për këta lloj studimesh të cilat fatmirësisht janë në numër edhe në universitete në gjuhën shqipe, plotëson Turkeshi. Megjithatë, imperativ i kohës mbete edhe angazhimi i shkollave ën sistemin para universitar të arsimit për orientimin e nxënësve drejt shkencave natyrore. Profesori Ziberi, vëren se duhet ët ndryshojë metodologjia e mësimit të këtyre lëndëve. “Mësuesit dhe arsimtarët duhet të bëjnë më tepër përpjekje për të bërë interesante lëndët e shkencave matematike-natyrore. Aplikimi i metodave atraktive të mësimit do ti ndihmon nxënësit për tu afruar më tepër me shkencat natyrore, pra do të krijon një relacion më miqësor”, shprehet ai.

Por krahas mësimdhënësve, përpjekja duhet të jetë në radhë të parë institucionale. Tani që në Maqedoni është hapur dera për ndryshime në sistemin arsimor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të trajtojë me më shuam seriozitet edhe këtë element të reformës, pra të angazhojë ekspertët më të mirë të fushës për të caktuar edhe standardin e metodave dhe metodologjive të mësimit për secilën lëndë veç e veç. Në të kundërtën, reforma nuk mund të jetë e plotë, gjithçka do të jetë e përkohshëm dhe provizore nëse nuk preket në thelb arsimi, pra nëse nuk ndryshojnë metodat e mësimdhënies. (koha.mk)