Dubai, 21 nëntor – Organizata Ndërkombëtare e Policisë, Interpol, ka zgjedhur kryetar në mandatin e ri, Kim Xhong-jang,, si pasardhës i kinezit Mehng Gonguej, i cili në shtator ishte arrestuar nga ana e autoriteteve kineze nën akuzë për marrje të ryshfetit.
Kim Xhong-jang nga Koreja Jugore, që ka pasur postin e shefit të brendshëm në organizatë, është zgjedhur president nga shefat e policisë të mbledhur në takimin katërditor në Dubai.
Kritikët e Kremlinit si dhe juristët në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, kishin ngritur shqetësimet se zgjedhja e gjeneral majorit Aleksandar Prokopçuk si shef i Interpol-it do të ishte e rrezikshme, duke theksuar se Moska ka keqpërdorur organizatën për ndjekje të armiqve politikë.
E vendosur në Lion të Francës, agjencia ofron ndihmë për shërbimet e policisë që janë në kërkim të të dyshuarve jashtë kufijve të shtetit përkatës. Organizata nuk ka të drejtë të arrestojë njerëz.
Kritikët e agjencisë kanë theksuar shpesh se ndjekjet politike nga disa shtete anëtare janë në rritje .
Shtetet e Bashkuara thanë se kanë rekomanduar fuqishëm Kim Xhong-jang për shef të ri të agjencisë. Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, bëri thirrje te të gjitha shtetet dhe organizatat që janë pjesë e agjencisë, “të respektojnë rendin dhe ligjin dhe të zgjedhin një lider me integritet”.