Phenian, 1 janar – Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Xhong-un në fjalimin e Vitit të Ri, të cilin e transmetoi televizioni koreanoverior deklaroi se është plotësisht i përkushtuar ndaj denuklearizimit, por paralajmëroi se do të ndryshojë drejtimin nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me sanksione.
Por, ai në të njëjtën kohë paralajmëroi se do të kërkojë drejtim alternativ nëse SHBA-ja vazhdon ta testojë durimin e tij dhe i vendosin në fuqi sanksionet drejt Koresë Veriore.
Kim ka takuar presidentin e SHBA-së, Donald Tramp, në muajin qershor në Singapor, me ç’rast kanë thënë se synojnë denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, por nuk kanë dhënë detaje se si dhe kur do të ndodhë procesi.
“Koreja e Veriut mund të zgjedhë rrugë të re në marrëdhëniet me SHBA-në, nëse ajo nuk e mban premtimin e saj të dhënë përpara gjithë botës dhe insiston në sanksione dhe presion mbi republikën tonë”, tha Kim.
Ai po ashtu tha se është i gatshëm të takojë përsëri Trampin.
Fjalimi i Vitit të Ri është një traditë që Kim e ka marrë nga gjyshi i tij, themeluesi i vendit komunist, Kim Il-sung.
Fjalimi synon kryesisht një audiencë të brendshme dhe përqendrohet në ekonominë.