Ish-deputeti rus, Denis Voronenkov është vrarë me armë zjarri pranë një hoteli në qendër të Kievit. Voronenkov në dhjetorin e shkuar kishte lënë Rusinë për të shkuar në Ukrainë, pasi ishte akuzuar për korrupsion nga autoritetet moskovite. Pasi ishte stabilizuar në Kiev, kishte kritikuar ashpër Rusinë dhe kishte dëshmuar në procesin kundër ish-presidentit Viktor Janukoviç.
Ai kishte denoncuar mes të tjerash edhe faktin që Kremlini manipulonte zgjedhjet, si presidenciale, ashtu edhe to parlamentare dhe lokale. Po ashtu, kishte akuzuar shërbimet sekrete se kishin marrë pushtetin dhe kontrollonin Dumën ruse. Voronenkov e kishte krahasuar Rusinë e presidentit rus Vladimir Putin me Gjermaninë naziste dhe e kishte cilësuar gjendjen e vendit të tij të origjinës si një “çmenduri pseudo-patriotike”.