Juventusi është gati ta përqafojë “BBC”-në, këtë herë të ndërtuar nga Bufon-Barxalji-Kielini dhe vetëm në stol. Barxalji, pasi frekuentoi kursin e “Coverciano”-s, është gati të hyjë në stafin e Mauricio Sarrit, pavarësisht se refuzoi ftesën e trajnerit toskan në verë.
Përkrah tij do të jetë Kielini: kapiteni bardhezi, aktualisht në fazë riaftësimi pas dëmtimit, do të ulet në pankinë me paterica. Përkrah tyre, Bufoni, rezerva e Sheznit.
“PROFESORI” BARXALJI NË STAF
Risia absolute e situatës i takon Barxaljit, i cili, vetëm pas pak muajsh, pasi i dha lamtumirën “Allianz Stadium”-it dhe futbollit të luajtur, është gati të rikthehet te Juventusi. Jo si lojtar, por si pjesë e stafit teknik të Sarrit dhe do ta ndihmojë trajnerin me ndërtimin e fazës mbrojtëse të skuadrës, duke vendosur në gatishmëri të bardhezinjve eksperiencën. Lajmi zyrtar nga klubi pritet menjëherë pas ndalesës së kombëtareve dhe “profesori i mbrojtjes” pritet të jetë operativ për sfidën kundër Fiorentinës.
JO RAST UNIK
Aktiv, ndërkohë, nuk do të jetë Xhorxho Kielini, i ndalur në bokse pas problemit në bicepsin e femurit të pësuar në stërvitje. Kundër Napolit kapiteni bardhezi qëndroi në stol së bashku me shokët e skuadrës dhe mendohet se nuk ka qenë një episod unik.
Sipas mediave italiane, në fakt, veçanërisht për sfidat e zhvilluara brenda fushe nga Juventusi, 35-vjeçari do të ulet në pankinë me rezervat e Sarrit. Barxalji dhe Kielini do të gjenden, pra, shumë shpesh pranë njëri-tjetrit, ashtu si në fushë. Dhe me ta do të jetë edhe Xhixhi Bufon, i cili, si i dytë i Sheznit, do të shohë pjesën më të madhe të sfidave të Juventusit nga jashtë.