Dy futbollistë të Nigerisë, Dayo Ojo dhe Benjamin Iluyomade, janë kidnapuar derisa ishin duke udhëtuar në autostradën Benin-Owo në Nigeri, shkruan “BBC” të hënën, transmeton Koha.net. Futbollistët ishin duke udhëtuar nga Akure në pushim, pasi liga e Nigerisë është pezulluar pas krizës së koronavirusit.
Bashkëlojtari i Jojos te skuadra nigeriane Enyimba, Emmanuel James, po ashtu ishte në veturë, por arriti të ikte. Ojo ka përfaqësuar Nigerinë në nivel senior në Kampionatin e Shteteve të Afrikës në vitin 2018 dhe po ashtu në grupmoshat e reja. Ai i është bashkuar skuadrës Enyimba në vitin 2019.
Benjamin Iluyomade luan për skuadrën Abia Comets. Lajmi për kidnapimin vjen vetëm disa orë pas vdekjes së dy futbollistëve nigerianë Emmanuel Ogbu e Ifeanyi George në një aksident trafiku. Ky është rasti i parë i kidnapimit në ligë që kur ish-trajneri i Katsina Unitedit, Abdullahi Biffo, u kidnapua dhe u lirua në janar të vitit 2019.
Sulmuesi i Bordeauxit, Samuel Kalu ishte lojtari i fundit i Nigerisë që u përfshi në një rast kidnapimi. Nëna e tij u kidnapua dhe u lirua pas gjashtë ditëve në mars të vitit të kaluar.
“Enyimba Fooball Club mund të konfirmojë se mesfushori Ekuandayo Ojo është kidnapuar nga persona të armatosur përgjatë autostradës Benin-Owo. Incidenti ka ndodhur të dielën, ndërsa lojtari po udhëtonte për në Akure për pushim pas pezullimit të ligës profesioniste të Nigerisë në futboll. Ojo ishte në shoqëri të bashkëlojtarit Emmanuel James dhe futbollistit tjetër Benjamin Iluyomade. Derisa James ka ikur nga sulmi, Iluyomade është kapur së bashku me Ojon. Enyimba FC ka mbajtur kontakt të ngushtë me familjen e Ojo’s dhe po bëhen përpjekje për të siguruar që lojtari të lirohet”, është thënë në komunikatë të klubit.