Khedira blen 1200 bileta për fëmijët e sëmurë

Përfaqësuesi i kombëtares gjermane në futboll, Sami Khedira, ka blerë 1200 bileta për ndeshjen midis Gjermanisë dhe Norvegjisë e cila sonte do të luhet në Shtutgart, dhe të njëjtat do t’i dhurojë për qëllime humanitare. Mesfushori i Juventusit, biletat e siguruara do t’ua dhurojë fëmijëve të sëmurë me kancer dhe atyre që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike. “Për mua nuk është i rëndësishëm vetëm donacioni, por nga ai të përfitojnë fëmijët. Shumë prej tyre nuk do të kishin mundësi të ndjekin lojën për shkaqe të ndryshme, qoftë financiare apo logjistike”, tha Khedira. Ndeshja kualifikuese në të cilën kampionët aktualë të botës kanë mundësinë të sigurojnë kualifikimin në kampionatin Botëror i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Rusi, luhet në Mercedes-Benz Arena me fillim në ora 20:45.